Në morinë e mesazheve që vijnë në adresë të programit Opinion, ku shpesh qytetarët shprehin shqetësimet e tyre; Blendi Fevziu kishte zgjedhur këtë të hënë një letër të një vogëlushje 8 vjeçare nga Tirana, e cila kishte shkruar një letër për doktoreshën e saj Arjana.

Kaltra tregonte në letrën e shkruar nga dora e saj, se ajo e kupton fare mirë situatën e Covid-19, sepse Kaltra e di mirë ç’do të thotë të të mungojë oksigjeni nē trup; Kaltra vuan nga astma.

“E dashur doktoreshë Arjana,
Na ishte njëherë kur unë i kisha frikë doktorët. Por këto ditë unë rri në shtëpi dhe doktorët i shikoj ndryshe. Unë janë Kaltra, jam 8 vjeçe dhe mësoj në shkollën “E kuqe”. Unë e di çfarë do të thotë të të mungojë oksigjeni në trup. Unë jam asmatike dhe doktorët më kanë mbajtur me maskë oksigjeni shumë herë deri sa më shëruan.

Unë sot po shkruaj këtë letër për doktoreshë Arjanën, për t’i thënë asaj se unë rri shumë mirë në shtëpi dhe nuk dal që të sëmurem. Doktoreshë Arjana shumë faleminderit që po na ndihmon të gjithëve ne. Ne jemi shumë mirënjohës për ty. Ti punon ditë e natë për ne, na ndihmon dhe na këshillon. Ti je e fortë dhe shumë trime.

Nëse ke pasur ëndërr këtë profesion, ëndrra jote është realizuar. Unë e di që ti nuk i përqafon fëmijët e tu, për t’i mbrotjur. E di dhe që koronavirusi do kujtohet si një përrallë për ne fëmijët pas disa kohësh. Ju doktorët do jeni heronjtë e mirë të përrallës sime. Prandaj kjo letër për ty doktoreshë Arjana fillon si një përrallë me një tregim të bukur fitoreje.

Love you Kaltra”-shkruan e vogla në letrën kushtuar doktoreshë s së saj.