Në emisionin e mëngjesit, ‘Ora shtatë’ në ekranin e ‘Klan Kosova’, këngëtari Robert Berisha ka treguar se si e ka kaluar kohën në qendrën e studentëve në Prishtinë, e cila është shndërruar në karantinë.

Ai ka treguar se qëndrimi prej 14 ditësh në karantinë i ka bërë mirë sepse ka pushuar dhe ka ngrënë me orar.

“Më ka bërë mirë sepse kam ngrënë ushqim me rregull. Të them të drejtën ende nuk jam mësuar me maska dhe me doreza, ende nuk po e di se si po shkon puna, po mendoj se çdo gjë është në rregull. Nuk e di se sa do të zgjasë kjo situatë”, ka treguar Berisha gjatë programit.

Ai ka treguar detaje edhe për kohën kur ka performuar brenda karantinës për të kaluar më mirë dhe për t’i argëtuar të tjerët në qendrën studentore.

“Kur janë futur të tjerët në dhomë aty tek unë, i kemi thyer rregullat sepse nuk lejohej grumbullimi në dhomë. Të nesërmen ka ardhur policia dhe i kanë konfiskuar instrumentet sepse nuk lejohet që të mbahen ‘koncerte’”, ka shtuar Roberti duke pohuar kështu se disa herë i ka thyer rregullat për të kënaqur njerëzit në qendrën studentore.

Ashtu si çdo herë tjetër, këngëtari është treguar mjaft transparent gjatë intervistës, duke ndarë çdo detaj me ndjekësit e tij.