Nga Nesti ZEFI

Sot asht dita e Larit dhe fillimi i javës së shejtë me mundimet, vdekjen e ngjalljen e Krishtit të Dielen e Pashkëve e kurrë ma shumë se në kushtet aktuale, bota mbarë po përjeton udhën e saj të kryqit për shkak të pandemisë të Koronavirusit.

Edhe pse njerzit në vatrat ma të xeta të goditjes të ktij virusi janë futë në karantinë me vendim të autoriteteve qeveritare, rrjetet sociale na dëshmojnë se kanë harrue me futë në “karantinë” veset, kapricot, rrenat, qasjet sipërfaqësore, ankthin me hedhë gurt e marrisë në ujnat e turbullueme të kësaj situatë e cila ma kërkon përgjegjshmëri maksimale e vullnet të hekurt me kontribue secili simas mundësisë të vetë me e tejkalue atë.

I kshteni i përgjegjshëm, e din mirë se rruga që të con të Pashkët e ringjalljes kalon nëpërmjet rrugës së Kalvarit e kjo situatë që po jetojmë, të ngujuem në shpi, kush në vetmi e kush me të afërmit e vetë apo edhe ma keq ata që janë tue dhanë shpirt në vetmi të plotë në spitalet e luftës me Koroanvirusin, tue shqiptue idealisht britmën e Krishtit:

“Zoti jem pse më ke Braktisë”, le të jetë nji apel dramatik për ndërgjegjën tonë të përgjumun me kuptue koordinatat e momentit që po kalojmë. Para nji muej jam shpreh me nji status në fb se Koronavirusi nuk asht nji grip i thjeshtë por murtaja e kohnave moderne, sepse realiteti i Kinës, megjithë censurën e autoriteteve komuniste, tregonte se virusi po bantë kërdinë.

Në kushtet e globalizmit, ku Italia e sidomos Rajoni i Lombardisë kishte lidhje të ngushta me Kinën e zonën e infektueme, nuk duhej ndonji profeci e madhe me kuptue rrezikun potencial të impaktit të virusit në nji vend me përqindje të madhe pleqësh e personash me imunitet të dobët edhe shkak të stilit të jetës.sikur.

Sikur u dëshmue tragjikisht në pak kohë, impakti i Koronavirusit në Itali ishte tragjikë e sigurisht nji mendësi kulturore e sintonizueme në frekuencën e relativizmit bajat kurrësesi nuk mund ta kuptontë potencialitetin shkatërrues tw tij.

Megjithatë, sot nuk asht koha me ba dietrologi, akuza e polemika shtjerpe të cilat nuk prodhojnë asgja kontruktive por shtrohet urgjentisht nevoja e rigjetjes dhe e rinovimit të sensit të përgjegjsisë, tue bashkëpunue me autoritetet e ligjshme për me ngadalue përhapjen eksponenciale të virusit e ma vonë do të bahen bilancet e shqyrtohen akuzat e kundrakuzat.

Mbas virusit, nji rrezik tjetër vjen prej njerzëve fanatik, pra shpirtnave të djerrun që duen me pontifikue mbi gjithcka kur do të ishte mirë me hesht.

Nji gja që më ka ba shumë përshtypje e lidhet edhe me momentet e forta liturgjike të fesë katolike, asht akuza që u bahet autoriteteve fetare që me sens të naltë përgjegjsiet e dhimbje në zemër, kanë pezullue aktivitetet kishtare e sidomos Meshën e Shejtë me popull.

E dij mirë që mesha asht shumë e rëndësishme e duhej pak fleksibilitetet, por me përdorë pretekste të tilla, kur dihet mirë që grumbullimet janë faktorë përhapjet të virusit, nuk asht e denjë për nji besimtar të Kishës Katolike i cili nuk “provokon” Zotin.

Në raste nevojët e kur situata objektive nuk e lejon kremtimin e Meshës, nuk humbet automatikisht besimi e rasti i shqiptarëve nan katakombet otmane e komuniste, ka dëshmue që feja ripërtrihet edhe ma e fortë e në këtë prizëm duhet ta shohim nji realitet që asht krejt i përkohshëm. Ankthi e dëshira për akuza edhe kur njiri asht në mirëbesim, tue pretendue meshën të autoritetet fetare apo tue u ankue te autoritetet civile për “shkelje të drejtave të njirit” në nji situatë të pazakontë, janë simptoma të qarta se u besohet fallxhorve të ideologjive apo asgjalogjive ma shumë se Zotit të arsyes që asht Krishti.

Shën Pali thotë se asht detyrë e të kshtenit me iu bind autoriteteve të ligjshme kur urdhnat e tyne nuk janë kundër fesë e deri sot as në Itali apo Shqipni nuk më rezulton se ka nji qasje të tillë nga ana e autoriteteve civile. Sigurisht mund të diskutohet nji farë dezertimi i Kishës Katolike në mobilizimin e strukturuem te doktorrave të shpirtit me asistue të sëmurët ne vetminë e spitaleve edhe pse nuk kanë mungue shembuj personal të bollshëm heroizmit të shumë meshtarëve që kanë dekë në krye të detyrës, tue u infektue me Koronavirusin. Shpresojmë që Pashkët e ringjalljes të mposhtin koronavirusin e shpirtit e mandej atë të trupit.