Adriana Handraj nuk është e panjohur për shkodranët.

 

Ajo është një artizane me përvojë, që në këto ditë të zymta ka zgjedhur të mos izolohet në shtëpi për shkak të pandemisë Covid-19, por të ofrojë kontributin e saj për të ndihmuar sadopak për qytetarët e Shkodrës, sidomos ata në nevojë, duke ofruar maska falas.

 

Adriana tregon për Politiko.al pse e ndërmori këtë nismë, që ndoshta mund t’i kushtojë nëse kjo “luftë” do të zgjasë, pasi ajo shprehet e vendosur për t’i shkruar deri në fund këtij misioni.

 

“Sinqerisht, kjo situatë e papritur që erdhi dhe kontakti që kam me njerëzit për shkak të punës si artizane, kam parë që shumë prej tyre e kanë shumë të vështirë jetesën normale, por ka edhe nga ata që po përpiqen të përfitojnë nga kjo gjendje e vështirë që po kalon bota.

 

Mendoj se në këto ditë të vështira duhet të jemi më pranë atyre që kanë nevojë. Me gjithë shpirt dua të ndihmoj çdokënd me aq mundësi sa kam sepse kam parë se ka persona që e kanë kthyer në biznes çështjen e maskave, që janë të domosdoshme për këto ditë, në një kohë kur duhet të shohim a kanë ata mundësi financiare për t’i përballuar.

 

Unë jo se kam të ardhura të shumta për këtë nismë, por dua të ndihmoj sadopak, pra, sa të blejnë një maskë, më mirë ta marrin falas tek unë dhe me ato para të blejnë një bukë. Do doja të ofroja më shumë ndihmë, por deri këtu shkojnë mundësitë e mia”, shprehet Ardiana, duke na treguar se deri tani ka arritur të shpërndajë deri në 570 copë maska falas, ndonëse nuk e fsheh edhe vështirësinë me të cilën mund të përballet nëse “lufta” zgjat.

 

“Realizimi i një maske nuk është se ka kosto të madhe, por nëse vazhdon gjatë ndoshta do të vihem në vështirësi. Por ama, nëse do më duhet edhe borxh do të marr dhe misionin tim do ta vazhdoj pa ndërprerje. Deri tani kam bërë deri rreth 100 maska në ditë. Do Zoti po kalon shpejt”, thotë ajo, e cila komenton edhe rastet abuzive të denoncuara shpesh në media, lidhur me çmimet e kripura të maskave dhe dezinfektantëve, kur shqiptarët u gjendën përballë rasteve të para me Covid-19.

 

“Pashë që njerëzit i blenin maskat me nga 10 mijë lekë (të vjetra) dhe i përdornin për tri ditë. Ata që rrisin çmimet në mënyrë abuzive për të përfituar nga një situatë si kjo nuk veprojnë mirë. Sot kemi nevojë më shumë se kurrë për mbështetje se i gjithë populli është në izolim dhe shumica pa punë”, thotë artizanja e njohur për shkodranët, të cilët e kanë vlerësuar në masë gjesin e saj të rrallë.

 

“Sinqerisht habitem me vleresimin e tyre. Nuk është se nuk më njohin se ka kohë që merrem me artizanat në Shkodër. Por ama, këtë punë e kanë vlerësuar shumë. Kanë një mirënjohje të madhe edhe nga unë. Uroj që ta kalojmë këtë situatë sa më parë pa u lënduar askush, por do doja që të gjithë të zgjerojmë edhe zemrat tona më shumë”, përfundon Adriana, e cila e meriton t’i thuash me plot gojën ‘të lumshin duart!’.