Kjo është deklarata e ministrit për shtetin Arben Ahmetaj bazuar në urdhërin numër 193 të ministrisë së shëndetësisë i cili lejon që punonjësit e atyre sektorëve që kanë të drejtë të punojnë të lëvizin pa asnjë lloj problemi edhe pas orës 13:00.

Edhe pse ministri Ahmetaj e ka deklaruar disa herë por ndërkohë ka edhe një urdhër të ministrisë që duhet ta zbatojnë të gjithë në Shkodër prej ditësh tashmë punëtorët e sektorëve të ndërtimit dhe sektorë të tjerë që lejohet të punojnë po ndalohen nga policia vendore e Shkodrës.

Disa denoncime kanë mbërritur në Star Plus TV nga punonjës të cilët ndalohen nga policia dhe një pjesë e mirë e tyre kanë rrezikuar që ose të gjobiten ose edhe t’u hiqet patenta. Kjo duket absurde në një kohë kur ministria e shëndetësisë ka nxjerrë një urdhër pikërisht për këtë arsye që lejon lëvizjen e punonjësve edhe pas orës 13:00 edhe pa autorizim dhe bie ndesh edhe me deklaratat e ministrit Ahmetaj.

Disa efektivë policie i deklarojnë këtyre punonjësve që kanë të drejtë të lëvizin se nuk e njohin urdhërin e ministrisë së shëndetësisë në një kohë kur tashmë ky urdhër është botuar në fletoren zyrtare dhe është i detyrueshëm për t’u zbatuar qoftë nga qytetarët por edhe nga institucionet njëkohësisht, duke përfshirë këtu edhe policinë e shtetit.

Pavarësisht se punonjësit kanë dokumentin përkatës që tregon se janë të punësuar në sektorë që e kanë të lejuar të vijojnë aktivitetin e tyre, policia nuk merr parasysh atë urdhër duke i nxjerrë probleme në momentin kur ata shkojnë në shtëpi pas orës 13:00 në një kohë kur u lejohet që të punojnë edhe me tre turne siç ministri Ahmetaj deklaron.

Nëse policia pengon punonjësit atëherë këto sektorë që lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre nga qeveria u krijohen probleme të mëdha dhe e kanë të pamundur që të vijojnë punën. Shfrytëzimi i atyre që u lejohet të punojnë nga ana e policisë është absurd në një kohë kur ky veprim i policisë është i kundërligjshëm dhe bie ndesh qoftë me urdhërin e ministrisë por edhe atë çfarë thotë ministri Ahmetaj. Sjellja me dy standarde nuk i shërben askujt, aq më tepër në këto ditë të vështira.