Një djalë i ri nga Italia, 29 vjeç i infektuar me koronavirus ishte sot në një lidhje live me emisionin “Historia ime” në TV Klan. Mateo është duke u trajtuar prej disa ditësh në spitalin San Giovani në Milano. 29-vjeçari tregon se vazhdon të ketë vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje të këmbëve e muskujve.

Mirela Milori: Si ndihesh?

Mateo: Sot ndihem pak më mirë, nuk marr frymë dhe aq mirë, nuk ndihem aspak mirë përsa i përket anës së frymëmarrjes, por jam drejt rrugës së përmirësimit. Kam pak dhimbje të këmbëve, të muskujve sepse rri gjatë gjithë kohës shtrirë, do bëj fizioterapi për të marrë veten. Kam dhimbje edhe përtej terapisë, se tani më është ndërprerë sepse jam duke pritur rezultatin e tamponit që kam bërë sot në mëngjes.

Mirela Milori: Sa ditë ke në spital?

Mateo: Jam këtu që nga 15 Marsi, sot bëj 15 ditë që jam në spital.

Mirela Milori: Si është situata në spitalin që je ti?

Mateo: Në këtë spital ku më transportuan prej 4 ditësh, këtu situata është e qetë sepse njerëzit e shtruar këtu janë drejt shërimit, si edhe unë. Pra nuk ka rrezik për jetën apo të ketë përkeqësime të frymëmmarjes. Kur isha në spitalin e parë, ku isha shtruar më parë, aty situata ishte më e rëndë, shumë të infektuar, shumë të shtruar, shumë ishin të moshuar, por edhe shumë të rinj si unë.

Mirela Milori: Çfarë thonë mjekët për shëndetin tënd, për ecurinë tënde?

Mateo: Mjekët janë të kënaqur sesi po reagoj ndaj terapisë, ndaj trajtimit që më është bërë, që po më përmirëson, por kam akoma bronkopneumoni. Por tani me shërimin gjithçka po shkon më mirë, në fillim nuk merrja dot frymë mirë, nuk arrija dot të flisja mirë, por tani jam shumë mirë.

Burimi: tvklan.al