Serialet turke prej vitesh tashmë janë bërë pjesë e ekranit shqiptar dhe shumë kanale televizive kanë blerë prodhime të suksesshme turke.

Serialet turke janë vërtet shumë të ndjekur nga publiku, duke lënë kështu prapa serialet spanjolle apo meksikane që dikur ishin po kaq të famshme. Mirëpo së fundmi është vënë re se në ekranin shqiptar po rikthehen seriale të vjetra që janë transmetuar dikur.

Një nga këto është seriali historik që theu rekorde shikueshmërie “Sulejmani i madhërishëm”. Vite më parë ky serial u transmetua në Albanian Screen ndërsa së fundmi nisi edhe në TV Klan, duke patur po të njëjtin sukses.

Një tjetër serial që po ritransmetohet është “Molla e ndaluar”. Ky serial është transmetuar në Vizion plus dhe tani po transmetohet edhe në televizionin Koha.

Gjithashtu seriali “Më fal” po ritransmetohet në Alsat. Kjo tregon se serialet e vjetra kanë rezultuar më të suksesshme se të rejat dhe kjo mendohet të jetë edhe arsyeja pse në ekranin shqiptar po rikthehen këto seriale. Vetë Turqia aktualisht ka ndaluar xhirimet e shumë serialeve turke për shkak të përhapjes së koronavirusit. Madje edhe serialet që pritej të fillonin këto ditë janë anuluar.