Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Kollçaku tha se është në ankth si epidemiologe, duke parë situatën me përhapjen e Covid-19.

Ajo është shprehur e revoltuar për mbajtjen e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës pasi nuk ka siguri.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për votimin e mocionit të iniciuar nga LDK për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ajo tha se në sallën ku po mbahen punimet nuk ekzistojnë kushte për tubim në kohën e pandemisë.

Kollçaku: Nëse infektohen deputetët, të mos u vihen respiratorë

“Ky mesazh që shkon nga kjo sallë është turpi. Unë kam thënë sot pa ardhur, pas pak fillon seanca e turpit dhe qëndroj prapa saj. Sot e kam postuar një video-spot, BBC që e ka jap të njerëzve që punojnë në kujdesin intensiv qendror, dhe i ftoj të gjithë ata që asnjë deputet nëse do të infektohej mos t’ia qesin respiratorin, sepse ne nuk jemi mbi ligjin, a po mendoni që jemi me imunitet politik e jemi edhe me imunitet karshi sëmundjeve, apo si deri tani gjithë politik-bërësit kanë qenë mbi ligjin, mbi shtetin, kurrgjë nuk ka vlejte, do të thotë edhe në kohë të pandemisë ne jemi mbi ligjin”, tha ajo.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje tha se dezinfektuesi nuk ka efekt qind për qind në foltoren ku paraqiten deputetët për fjalim.

Kollçaku: Jam në ankth

“Si politikane nuk do të bëj panik, si epidemiologe po jam në ankth, sepse jo sot, por po e ritheksoj këtu nuk ka pasur kushte për tubim si ky, për format si ky, ne nuk kemi kërkuar pezullimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në asnjë rrethanë, por formate të tjera në distancë, me kushte. A po mendon dikush që kjo foltore që dezinfektohet brenda një minute, dezinfektuesi arrin efektin e vet a? Ju po mashtroheni!”, tha ajo./KosovaPress