Nevila Gjermeni, mjeke infektologe e shërbimit infektiv në QSUT në një lidhje me Skype për Report Tv në edicionin qendror të lajmeve e përlotur u ka kërkuar qytetarëve që të mos dalin nga shtëpia dhe nesër pas orës 05:00 të respektojnë distancën mes njëri tjetrit. Mjekja u shpreh se e shqetëson shumë fakti që në momentin kur del nga spitali Infektiv shikon në rrugë njerëz që qëndrojnë bashkë duke thyer urdhrat dhe në këtë mënyrë çojnë dëm sakrificën e tyre.

“Kur kthehem nga puna dhe shikoj në rrugë njerëz edhe dy bashkë shqetësohem shumë. Mesazhi im është rrini në shtëpi, ndihmoni veten dhe ne, që sakrifica jonë të ketë rendiment. Do ia dalim, thjeshtë durim dhe këmbëngulje. Ju rrini thjeshtë në shtëpi, është përgjegjshmëri personale.

Vetëm kjo është rruga që ndërpresim zinxhirin e infektimit. Nëse nuk bëhet kjo, infektimi shtohet, problemet do të jenë më të mëdha, por ndihma do të jetë e vështirë. Higjiena personale është shumë e rëndësishme gjithashtu” tha mjekja. Me zërin e dridhur, spikerja e lajmeve në Report Tv Migena Sotiri tha se “Nuk i shmangim dot emocione të tilla që na prekin të gjithëve”.

Ndalur te gjendja e pacientëve të prekur, mjekja Nevila Gjermeni deklaroi se katër janë në reanimacion, në gjendje stabël në oksigjen, jo të intubuar. “Simptomat fillojnë si grip, kollë, temperaturë, ethe, të vjedha, diarre, vështirësi në frymëmarrje dhe pneumoni. Këto janë ankesat e pacientëve që janë hospitalizuar. Më e rëndësishme nga gjithcka është vetëizolimi, distancimi nga njëri tjetri” përfundoi mjekja./shqiptarja

PUBLICITET