Alfred Peza

Për të gjithë ata që kanë parë deri më sot ndonjë ëndërr me sy hapur, se lufta e tmerrshme ku jemi futur është një mundësi e jashtëzakonshme për të përfituar nga qeveria dhe shteti, ka ardhur momenti që të zgjohen. Jo për ti bërë ëndrrat realitet. Por për të kuptuar se, pushimet e detyrueshme ku jemi futur pa afat, nuk janë pjesë e kalendarit të ndonjë feste që aq shumë na shijojnë gjatë vitit, por pjesë thelbësore e luftës në të cilën ndodhemi.

Mbi të gjitha këto nuk janë aspak pushimet e Krishtlindjeve, ku gjithëkush nis e ndjehet nga pak brenda vetes si një fëmijë i llastuar, duke ëndërruar për dhuratat poshtë pemës. Vetkarantinimi ynë kolektiv, nuk është gjë tjetër, veçse pjesë e një situate të pazakontë historike. Si mundësia e vetme deri më sot për të përballuar me sa më pak kosto njerëzore, pandeminë globale nga Covid-19, që ka sulmuar planetin dhe Shqipërinë.

Ndaj edhe plani financiar i shpallur nga Kryeministri Edi Rama, për të përballuar këtë luftë, është një plan ekonomik për një situatë unikale. Duke e njohur me sa duket edhe numerologjinë, nuk i është ndarë as në këtë moment numrit të shenjtë që simbolizon magjinë e jetës mbi tokë, duke e përmbledhur planin e tij në 7 pika. Mos të harrojmë, që edhe përpara zgjedhjeve të 30 qershorit, kreu i mazhorancës i drejtoi Lulzim Bashës 7 letra publike, në 7 ditë.

Nisur nga kjo, kthjellohemi dhe nisim të kuptojmë më qartë, edhe mënyrën sesi është ndërtuar plani financiar i luftës kundër Covid-19, jo vetëm thjeshtë nga një detaj i formës, për mbi të gjitha për nga realizmi i përmbajtjës së saj. Në thelb në të parashikohen si shpenzimet për sistemin shëndetësor që ndodhet në vijën e parë të frontit të luftës me armikun e padukshëm, ashtu edhe garancitë për kompanitë private, që do të kenë vështirësi në pagesat e punonjësve.

Për të vijuar më pas me mbështetjen financiare për biznesin, të papunët, operacionet humanitare dhe shpenzimet në rastet e emergjencave. Për tu përmbyllur me një “aminsti” të plotë për kamatvonesat e energjisë elektrike për 211 mijë abonentët më të varfër të vendit, si dhe riskedulimin e tatim fitimit për të gjitha bizneset e vogla me një xhiro vjetore në fashat, nga 2 deri në 14 milionë lekë në vit.

Siç shihet, ky është plani i duhur, në kohën dhe në masën e duhur që garanton në këtë fazë ku ndodhemi, mbështetjen më të mirë financiare për të gjitha fashat më të pamundura dhe vulnerabël të shoqërisë dhe ekonomisë sonë kombëtare. Çka jep garancinë se askush në këtë vend, nuk do të mbetet i pa mbështetur për nevojat e tij bazike social-ekonomike, në mënyrë që ti mbijetojmë të gjithë sëbashku kësaj situate sfiduese.

Ky plan, sipas ekspertëve më të mirë të kësaj fushe, ka brenda tij nikoqirllëkun realist, për të mos e futur arkën e shtetit në aventura të rrezikshme populiste. Premtimi i parajsës në kohë lufte, për një ekonomi historikisht të varfër si ajo e Shqipërisë, mund të kënaqte shumëkënd momentalisht. Por e sigurtë është se në kushtet e pasigurisë së shtrirjes në kohë e hapësirë të kësaj lufte, e kundërta e planit të paraqitur nga Kryeministri, rrezikonte që ti krijonte financave tona publike, biznesit dhe ekonomive tona familjare, një prespektivë po aq të paqartë sa ajo e përballjes globale me koronavirusin vetë.

Plani ekonomik i paraqitur nga Kryeministri Edi Rama duhet të ketë qenë aq i mirë edhe për opozitën, sa si rrallëherë në historinë e marrëdhënieve të saj me mazhorancën aktuale qverisë, nuk patëm një reagim kundërshtues e kritik të menjëhershëm. Shenjë e qartë, se nuk kishin për të bërë as vetë, një plan më të mirë. Sikundër, kjo nuk do të thotë aspak se kritikat e zakonshme që bëhen kurdoherë e për çdo gjë nga opozitarët në Shqipëri, do të mungojnë edhe në të ardhmen.

Duke patur më shumë kohë se çdo herë tjetër, për tu informuar rreth planeve financiare të fuqive më të mëdha ekonomike të botës, me siguri që ka patur shumë që kanë pritur ndoshta përfitime direkte qoftë si individë, familje apo si përfaqësues të biznesit. Por, ata që ende nuk janë zgjuar nga gjumi i realiteti ku ndodhemi, duhet të freskohen pak e të rikthehen me këmbët në tokë.

Ndaj mos prisni që Kryeministri Edi Rama, për shkak edhe të mjekrës së thinjur paq, të na vijë si Babbo Natale me thesin në krah tek dera e shtëpisë, për të na sjellë dhurata poshtë pemës së ndriçuar me llambushka xixëlluese!

PUBLICITET