Është e mërkurë, 8 Mars 2020 ora 2.14 e natës dhe unë jam ende zgjuar, nuk arrij dot të marrë gjumë sot. Në një periudhë “normale” në orën 07.05 të mëngjesit do binte zilja e telefonit për të më kujtuar të zgjohesha për të shkuar në punë.

Do ngrihesha nga krevati dhe mendimi i parë ishte: “It’s a beautiful day to save lives”, ajo fraza e famshme e serialit tim të preferuar ‘Grey’s Anatomy’ që neurokirurgu Derek e thoshte sa herë hynte në sallën e operacionit.

Këtë frazë unë ja them vetes çdo mëngjes prej disa vitesh.

Po, sepse çdo ditë pavarësisht momenteve të saj të ulje-ngritjeve është e bukur për të shpëtuar jetë njerëzish, jo thjesht sepse ke bërë betimin e Hipokratit pas universitetit.

Kam fatin dhe privilegjin, falë sakrificave personale e të prindërve të mi, të ushtroj profesionin më të bukur që ekziston për mua, profesionin e mjekut.

Atë profesion për të cilin shumë të kanë zili sepse shohin vetëm anën “ekonomike” që të jep ky profesion, por harrojnë që ky profesion është një jetë e tërë studimi. Janë gjashtë vjet universitet, pesë vjet specializim, tre vjet doktoraturë dhe vite të tëra azhornimi mes kongreseve dhe trajnimeve.

Është edhe ajo pjesa tjetër e tortës që mendon se ti je e çmendur që ke ndërmarrë këtë rrugë, duke hequr dorë nga “qejfet“ e përditshme të jetës.

Ndërkohë që unë jam çdo ditë e më tepër e bindur dhe e lumtur për këtë zgjedhje. Zgjodha mjeksinë sepse dua të shpëtoj jetë njerëzish, zgjodha mjeksinë sepse “voglio fare del bene“, zgjodha mjeksinë për adrenalinën, euforinë dhe për emocionet e shumta që më jep por edhe për ato momentet kur ajo që më mban zgjuar natën është mendimi i dhimbjes që mund të kem shkaktuar, shërimet ku mund të kem dështuar apo jetën që nuk pata mundësi ta shpëtoja.

Duhet shumë kohë, përqendrim dhe përkushtim i plotë.

Gjatë këtyre viteve në kardiologji kam mësuar se kur je përpara asaj tryezës tek salla operacionit duhet të jesh në gjendjen më të mirë të mundshme sepse ai pacienti që ke përpara duhet të dijë se ti di çfarë po bën me atë bisturinë në dorë, duhet t’i sigurosh që çdo gjë do të shkojë SHUMË MIRË, nuk mjafton MIRË sepse nga ai moment ti do jesh heroi i tij.

Është ajo unifoma e bardhë që shumë herë na bën të ndihemi heronj, por kur kthehesh në shtëpi dhe heq atë uniformën je si gjithë të tjerët…je njeri i thjesht, je human.

Por sot nuk është një periudhë normale, sot për mua është dita e 12 në izolim, 12 ditë që nuk zgjohem për të veshur atë uniformën e bardhë e t’i thërras botës “ It’s a beautiful day to save lives”, 12 ditë që nuk dëgjoj të më pyesin “doktoresha si shkoj vizita sot, zemra ime funksionon akoma mirë? ,

“doktoresha do jeni dhe ju sot me mua në sallë të operacionit?“, 12 ditë që më mungojnë ato orët e gjata në spital me dorashkat dhe kufjen në kokë gati për të hyrë tek kutia e sterilizuar për të shpëtuar një zemër të sëmurë, 12 ditë që më mungojnë shëtitjet afër detit, 12 ditë që më mungon ajo pizza e të shtunës….më mungon përditshmëria ime.

Por sot një telefonatë më bëri “vunerabile”, ndjeva zërin e babit që ndodhet në Shqipëri që dridhej përtej telefonit, por nuk e dha veten të qante sepse ai është shtylla e shtëpisë, ai “nuk mund të qaj”…jeta i ka mësuar se burrat nuk qajnë.

Për herë të parë ndjeva që kishte frikë, kishte frikë nga kjo situatë e krijuar në mbarë botën, kishte frikë sepse jam larg, kishte frikë sepse profesioni im është ai më i eksopozuari.

Sot për herë të parë pas 12 ditësh ndjej këtë izolim si peshë, pasi nuk kam dot lirinë të pres një biletë avioni last minute për tu kthyer në tokën mëmë e për të shtrënguar mamin e babin e tu them që çdo gjë do të shkojë mirë. Që duhet shumë durim dhe ndërgjegjshmëri nga secili prej nesh, por që do ia dalim mbanë. Sepse ne jemi më të fortë se një virus mikroskopik, do e mposhtim këtë pandemi globale.

Sot kam frikë për ta, për ata që janë larg meje dhe janë më të dobët se unë.

Në Itali situata është shumë kritike, janë pothuajse gati 32 mijë të infektuar dhe 2500 të vdekur, një situatë pothuajse surreale…më duket vetja si në skenat e filmit “Contagion“ 2011. Në gjithë këto vite që jetoj e punoj në Itali nuk kam përjetuar një Itali kaq “të heshtur“, pero è bellissima lo stesso .

Është e frikshme e gjithë kjo që po kalojmë për të gjithë, nga më i vogli deri tek më i vjetri në moshë, nga personi më i thjeshtë deri tek ai më i fuqishmi, nga më i varfëri tek më i pasuri. Jemi të gjithë të barabartë përpara kësaj “mostre” që nuk e njohim…a thua vallë të jetë thjesht një rastësi? Apo mos ndoshta toka po kërkon të na përcjellë një mesazh?

Shpresoj që kur të dalim nga kjo situatë, duke uruar që ajo ditë të vijë sa më shpejt,

çdokush nga ne të ndërgjegjësohet se toka është vetëm një dhe duhet të kujdesemi për të në maksimum.

Pres këto ditë me pak ankth për të filluar turnin tim në këtë betejë të gjatë e të lodhshme kundër SARS-Cov2 (COVID19), pres të vesh kit-in mbrojtës kundër COVID-19 dhe të kthehem në arenë për t’i dhënë një dorë ndihmë kolegëve që këto ditë kanë punuar pa orare e pa lodhje, duke shpresuar të dalim nga kjo situatë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Me ndihmën e të gjithëve ju që po qëndroni në shtëpi duke ulur numrin e të infektuarve do na ndihmoni ne, uniformat e bardha që do jemi “ON THE FRONT LINE”.

Shpresoj që në Shqipëri situata të mos bëhet kritike si këtej pasi do jetë e vështirë për ta përballuar dhe nuk jam shumë e sigurtë nëse andej mund ta përballojmë një situatë kaq të komplikuar.

Kam besim në mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e popullit tonë, se do respektojnë ato rregullat minimale që na duhen për të mposhtur virusin që po gjunjëzon gjithë globin.

Në momente të tilla duhet të mendojmë sesa “take for granted” e japim normalitetin, ndërkohë që është ai që na mungon më shumë në këto ditë.

Ju lutem qëndroni në shtëpi dhe respektoni rregullat. Bëjeni për veten dhe për të afërmit tuaj.

Ju uroj të keni shumë durim e kurajo.

Çdo gjë do të shkojë mirë!!!

Ju përqafoj,

Elisabeta.

PUBLICITET