Që nga nata e mbrëmshme është vetizoluar kryetari i Komunës së Gjilanit, dhe nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, pasi ka qëndruar në një ambient të njëjtë me personin që doli se është i prekur nga korona virusi.

Haziri ka shkruar në Facebook se komuna në të cilën ai udhëheq ka marrë veprime konkrete për parandalimin e virusit.

“Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus. Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor”, ka shkruar ai.

Haziri thotë se të gjithë personat që kanë qenë në ambient të njëjtë do të ju nënshtrohen testeve dhe vetizolimit.

“Po ashtu, u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimi. Detyrën time e ushtron nënkryetari i Komunës, i mbështetur nga kryesuesi i Komisionit emergjentë të Gjilanit, të cilët kanë ekip të madh pas vete. Besoj që bashkë ia dalim!

Deri atëherë, kujdesu për veten, familjen, miqtë e lagjen, duke qëndruar në shtëpi”, shkroi Haziri.

PUBLICITET