Tonin Preçi, kreu i sindikatës së Call-Center-ave ka folur në një lidhje telefonike me Televizionin Fax News ku është shprehur se situata në këtë sektor është shqetësuese, pasi shumë prej kompanive kanë kërkuar rikthimin në punë të punonjësve ndërsa nuk janë marrë masat e duhura për plotësimin e kushteve që parashikojnë udhëzimet për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

 

Preçi tha se punonjësit janë të detyruar të kthehen në vendet e punës për shkak se ju bllokojnë pagesat ndërsa theksoi se është në kontakt me autoritetet për vendosjen në dijeni të situatës.

 

“Është vërtetë shqetësuese, kanë vijuar punimet dhe operimet edhe gjatë fundjavës. Disa kanë operuar nga shtëpia dhe kanë marrë masa dhe plotësuar kushte pune, ndërsa një pjesë tjetër punojnë vërtetë në kushte jo të përshtatshme. Kemi dy shqetësime kryesore, e para mungesa e mundësisë për të shkuar në punë, janë të detyruar të paraqiten pasi janë të papaguar nëse nuk marrin pjesë në punë.

 

Janë kryer disa kontrolle në disa qytete por jo për këtë kategori pune. Në Tiranë janë disa sektorë që vijojnë punën pa kontrolle dhe punëtorët për shkak të pagesës janë të detyruar të shkojnë në punë. Duke qenë se kemi dëgjuar se grumbullimi i personave përbën rrezik, në një qendër të tillë ku janë me dhjetra persona është e parashikueshme se si rezulton rreziku. Ne kemi komunikuar me të gjitha autoritetet për situatën, vetë punonjësit nuk kanë bërë asnjë denoncim zyrtar. Ne po përpiqemi për të kërkuar të drejtën e pagesës së detyruar, por është e pamundur të organizojmë edhe një protestë në këto kushte ku jemi.

 

Apeli kryesor është që në radhë të parë të kenë kujdes për jetën e tyre dhe të afërmve, është më e rëndësishme jeta se vetë kapitali i kompanive, duhet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për të përmbushur kriteret. Ka disa call-center-ra që drejtuesit shfaqen në vendet e punës, ndërsa një pjesë e mirë e tyre jo”, tha Preçi për Fax News.

PUBLICITET