Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ashtu si të gjithë shqiptarët është izoluar në shtëpinë e saj. Në një lidhje direkte për emisionin “Open”, Kryemadhi ka ndarë detaje duke treguar se si e kalon ditën e saj.

Fillimisht, bashkëshortja e presidentit Ilir Meta është shprehur se pas shumë kohe i është kthyer me dëshirë kurimit të banesës së saj dhe se kohën më të madhe e kalon me kreun e shtetit.

Sa i përket 3 fëmijëve të çiftit, Kryemadhi tha se ata i kishte dërguar tek prindërit e tyre, për t’i mbajtur larg edhe për 10 ditë të tjera.

“Shyqyr kjo karantina, se ne grate po prekim dhe leckë me dorë se kishim vite pa prekur leckë me dorë. Do bëjmë dhe punët e shtëpisë. Ku kam qëndruar këto kohë? Kam qenë në shtpëi, po dhe kam dalë kam blerë ushqime, jam në shtëpi me Ilirin, fëmijët i kemi dërguar nga prindërit,”-tha Kryemadhi.

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”.

Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur.

Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. Dje është miratuar dhe Akti Normativ, që detyron spitalet private që të jenë në shërbim të shtetit gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë.

Po ashtu gjoba do ketë dhe për ata që thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.