Tregtarët e fruta perimeve në Shkodër e pranojnë se çmimi për një kilogram me limonë përpara se të merreshin masat për koronavirusin ka qenë 100 lekë të rinj dhe në vetëm pak ditë është rritur me 3 fish.

 

Sot një kilogram me limonë në pjesën më të madhe tregtohet me 300 lekë të rinj. Një rritje të dyfishtë të çmimit kanë pësuar edhe portokallët teksa nga 70 lekë të rinj çmimi ka shkuar në 150 lekë.

 

Pas një vëzhgimi të bërë në tregjet e qytetit të Shkodrës çmimet e produkteve ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin por ajo që nuk ndryshon është se kudo ka rritje të çmimeve. Ka nga ata tregtarë edhe pse më të paktë një kilogram me limonë e shesin nga 200 deri në 250 lekë dhe një kilogram portokalle 130 lekë të rinj

 

Tashmë që është rritur paniku edhe tek një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në Shkodër për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit blerjet në tregje dhe supermarket janë rritur ndjeshëm e bashkë me to edhe çmimet e produkteve.

 

Tregtarët e vegjël nuk janë fajtorët kryesor sepse rritja e çmimit nis që nga pikat e shumicës në të cilat furnizohen dhe kështu me radhë. Ata që e pësojnë janë konsumatorët, në këtë rast qytetarët shkodran.