Ana nuk ngurron të rrëfejë gjithçka si të mirat ashtu edhe të këqijat që të presin, pasi shkon në “tokën e premtuar”…

 

Ajo na tregon një histori ndryshe nga pjesa tjetër e shqiptarëve pasi NUK ishte ëndrra e saj të largohej. Pasi mbaroi studimet, ajo u punësua në një institucion shtetëror ku vazhdonte jetën e saj në Tiranë, mes familjes, miqve dhe jetës së pasur sociale. Vajza e bukur e kryeqytetit, kishte bërë shumë punë për të arritur aty ku ishte, e tashmë e ndjente veten të realizuar.

 

Dashuria e madhe për familjen, asaj as nuk i kishte lene shkas t`i shkonte në mendje largimi nga Shqiperia.

 

Lotarinë e bëra prej miqve qe me shtyne, madje kur dolën fituesit, ishin sërish ato që më pyesnin vazhdimisht, nëse e kisha parë. Kur e kontrollova pas 5 ditësh dhe pashë që isha fituese, familja nuk po më besonte, e kanë marrë me shaka, deri sa kam hipur në avion qe me besuan. Ata kurre nuk më penguan, sepse mendonin mundësitë e reja po më krijoheshin. Por, shkëputja prej tyre, ishte një nga gjërat më të vështira që kam përjetuar pasi shte hera e parë, që largohesha nga njerëzit e mi.”

 

Ana tregon hapat që ndoqi, deri në largimin nga Shqipëria.
Ajo tregon se faza parë është përzgjedhja, ku ti ke numrin tënd identifikues. Pastaj vazhdon me fazën e dytë me plotësimin e formularit online me informacionet rreth teje dhe edukimit tënd. Më pas lajmërohesh për intervistën në varësi të numrit identifikues dhe para se të intervistohesh, duhet të kesh mbledhur të gjitha dokumentet qe duhen dhe t’i kesh dërguar në ambasadë.

 

Për të shkuar në Amerikë, duhet patjetër ndihma e një njeriu, që të të sigurojë garancinë. Fatmirësisht, Ana kishte nje shoqen e saj e cila i siguroi garancinë dhe më pas e ndihmoi me akomodimin dhe gjetjen e nje pune. Ana tregon se u dashurua me Bostonin, sapo zbriti në aeroport. Një jetë e re po niste, por ajo as që e kishte idenë se cfare e priste më tej, thjesht nuk i tha jo, një mundësie.

 

“Në fillim nuk isha e përgatitur, mendoja se e dija mirë anglishten, por nuk ishte ashtu pasi itmi i amerikanëve ishte shumë i shpejtë dhe mezi i kapja fjalët e tyre. Probleme pata gjatë punës sime të parë, në ‘fast food’ ku me dilte ndonjë andrallë çdo ditë, pasi ke të bësh me të gjitha kombet dhe racat. Iu futa anglishtes mire e me kalimin e kohës fillova të përshtatesha. Kur fitova sigurinë e gjuhës, nisa të kërkoja një mundësi më të mirë për veten dhe puna aktuale është në kompaninë e njohur ‘Benchmark’.”

 

Ana tregon, se në Boston gjithçka është ndryshe duke nisur nga puna, shkolla, shoqëria dhe njerëzit, te cilet janë të fokusuar më teper te puna dhe kane pak hapësirë për jetë sociale. Madje, ajo me shaka thotë se mendimi i parë që kanë amerikanët për shqiptarët, është si njerëz të punës.

 

Ajo thote: “Unë në fillim punoja 72 orë në javë dhe kisha vetëm një ditë pushim. Fiton shumë, çfarëdolloj pune që të bësh, qoftë edhe më të parëndësishmen, madje sa fiton këtu për një javë, nuk e merr dot as për një muaj pa pushim në Shqipëri. Normalisht që lodhesh dhe cdo ditë duhet te shkosh nga periferia drejt qendrës së qytetit, pasi aty ndodhen gjithë bizneset dhe kompanitë. Ndryshe nga Shqiperia, ketu njerëzit jetojnë larg punës dhe çdo gjë bëhet me planifikim, edhe për t’u takuar me miqtë duhet gjetur një orar takimi, pasi për shkak të punës, është e vështirë të koordinohemi”.

 

Amerika nga te gjithe njihet si vendi i punës dhe i mundësive te shumta. Nëse kërkon të bësh diçka të mirë dhe të investosh për rritje profesionale, ti mundesh dhe keshtu ka bere Ana është pranuar ne nje universitet dhe në Janar filloi studimet. Ajo i këshillon gjithë të rinjtë, që para largimit nga Shqipëria, të kujdesen për diplomat e marra aty nese do te shkojne ne Amerike.

 

“Shkolla të njihet, çfarëdolloj dege që të kesh mbaruar në Shqipëri. E vetmja gjë që duhet të bësh, është noterizimi, përkthimi dhe njësimi i diplomës në Ministrinë e Arsimit. Të rinjtë shqiptarë nuk duhet ta neglizhojnë këtë mundësi. Unë në fillim nuk e dija, por pasi u informova, pashë që kisha mundësi të kualifikohesha më tej. Tani po vazhdoj të specializohem në degën, që kam studiuar në Shqipëri”.

 

Jeta e Anës është bërë më e bukur, jo sepse tashmë fiton më shumë para, por sepse në tokën e ëndrrave gjeti edhe dashurinë e jetës. Ajo aty njohu Andin, djalin simpatik, inteligjent dhe shakator, me të cilin kalon momentet më të lumtura. Ai djale eshte shqiptar dhe eshte larguar më herët nga Tirana, kjo i dha kuptim tjetër jetës së saj.

 

Amerika e ndryshoi nga vajza e vogël, e përkëdhelura e prindërve, u bë më e rritur dhe më e pjekur. Megjithese iu desh të hiqte dorë nga shumë gjëra, ajo mbeti po aq e qeshur, e ëmbël, e thjeshtë dhe e dashur. Ndonese ne Amerike hoqi takat, make up-in, fiksimin pas pamjes, ajo nuk hoqi kurre mirësinë dhe buzëqeshjen.

 

Ana thotë se i mungon shume familja, miqtë, dhe Shqipëria por Amerika e ka magjepsur pa fund.

 

“Më pëlqen se sa thjeshtë mund t’i bësh gjërat që ti do dhe nëse punon fort, mund të arrish ku të duash. Nuk ka parti, as lidhje me pushtetet,as miq, por ka lidhje vetëm me ty pasi nëse do, mund të arrish të bësh çfarë të duash. Nuk ka limit për ëndrrat e tua.”