Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani pritet që ditën e premte t’i japë goditjen finale presidentit Ilir Meta.

Ky i fundit prej disa muajsh ka nisur një luftë të fortë me mazhorancën qeverisëse dhe kreun e KED, të cilët i akuzon për marrjen e kompetencave të presidentit sa i takon emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por teksa kreu i shtetit është fokusuar tek manifestimi i 2 marsit, mazhoranca ka bërë një lëvizje taktike për të fundosur Metën. Të premten është njoftuar mbledhja e komisionit të posaçëm hetimor në orën 13:00, e cila është e para për këtë vit, teksa është thirrur për të dëshmuar zoti Dvorani.

Ka qenë vetë kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, i cili ka pohuar dje gjatë një prononcimi për mediat se do të paraqitet të premten në komision për t’i dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve. “U njoha me ftesën e Parlamentit. Do të jem i pranishëm për t’iu përgjigjur interesit të publikut dhe të gjitha pyetjeve të deputetëve”, është shprehur shkurtimisht Dvorani.

Blloku 700 mijë euro

Dëshmia e Dvoranit mund të shkundë nga themelet presidentin revolucionar, pasi anëtari i Gjykatës së Lartë, është gjyqtari që ka qenë pjesë e trupës gjyqësore që gjykoi Metën për aferën me bllokun 700 mijë euro. Cicmicet e Metës me Dvoranin nisën pikërisht gjatë gjykimit të dosjes, pasi Meta e shantazhoi dhe me mesazhe e foto. Por burime të gazetës thanë se nga mazhoranca do të ketë pyetje dhe për këtë çështje, për të sqaruar një herë e mirë nëse lufta e Metës me Dvoranin ka të bëjë me Kushtetuesen, apo është një hakmarrje për çështjen bllokut të famshëm. Duhet theksuar se Dvorani është i vetmi që doli me vendim paralel dhe kërkoi ekspertë të huaj për videon, gjë që u refuzua nga kolegët.

Nga ana tjetër Dvorani duket se do të zbërthejë dhe përdhunimin e Kushtetutë nga Presidenti. Deri më tani zoti Dvorani është treguar i rezervuar dhe nuk ka folur për këtë çështje. Por fakti që ai është shprehur i gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të anëtarëve të komisionit hetimor është një paralajmërim se në këtë mbledhje do të zbardhen skandalet e presidentit Meta. Pra, dëshmia e zotit Dvorani do të jetë vendimtare dhe do të përdoret nga mazhoranca si provë kundër kreut të shtetit.

Përplasjet Meta-Dvorani

Por raportet mes presidentit Ilir Meta dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi janë thelluar ndjeshëm për shkak të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye, përplasja mes tyre në muajt e fundit të vitit të kaluar ka përfunduar në SPAK. Presidenti kallëzoi penalisht Dvoranin në Gjykatën e Tiranës, ku e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim të kompetencave të tij. Të dy janë marrë në pyetje nga prokuroria ku kanë paraqitur edhe provat e tyre. Presidenti thotë se Dvorani ka shpërdoruar detyrën duke marrë një vendim individual duke zgjedhur automatikisht Arta Vorpsin, e cila nuk u ftua në betim nga presidenti Meta, por ajo shkoi tek noterja duke hedhur firmën.

Ndërsa Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin. Ndërkohë që, nga ana tjetër zoti Dvorani këmbëngul se ai ka zbatuar vetëm ligjin dhe se për të akuzat e Metës janë politike. Kështu që, tani topi është në fushën e komisionit hetimor, i cili do të flasë fjalën e fundit, duke i vënë kapak këtij konflikti. Pasi nëse ai merr vendim që të shkarkojë presidentin Meta nga detyra, legjitimon edhe punën e Dvoranit në krye të KED, duke rrëzuar pretendimet e kreut të shtetit.