Nuk do ta besoni, por kjo është çështja më e përfolur për momentin në polici. Madje edhe në prokurori. Qarkullon në formën e barsoletës, por veç humorit është një dosje që pret zgjidhje serioze.

Një burrë që i vijnë fotot intime të koleges në telefon, bashkëshortja që hap telefonin dhe zbulon “afrimitetin” dhe në anën tjetër të telefonit “kolegia”. Palët nisin sherrin dhe grindjen dhe normalisht që fabula është e njohur, bashkëshorti mohon gjithçka, po ashtu edhe kolegia mohon, ndërsa gruaja këmbëngul se aty ka tradhti. Në fund ndërhyn policia, e cila merr dëshminë dhe kallëzimin e “koleges” së fyer dhe përgatit procesverbal ngjarjeje.

Çfarë ndodhi?

Gazeta “Si” mëson se D. B është 29 vjeçe. Është e divorcuar. Ajo është police pranë grupit të shoqërimit në Forcat Operacionale të Burgjeve. Veç kësaj e reja është molla e sherrit mes një çifti. Në materialin e referuar që Gazeta “Si” disponon thuhet se 29-vjeçarja nga Rrogozhina dhe me banim në Tiranë, një mbrëmje për shkak të shoqërisë, i nisi disa foto intime kolegut të saj, edhe ai polic në të njëjtin sektor. Fotografitë ishin intime dhe gruaja pohon se i kishte nisur për shkak të njohjes dhe respektit.

Por, për fatin e keq të policit, gruaja e tij ka kapur telefonin dhe ka parë fotografitë. Ajo pa bërë zhurmë ka nisur hetimin. Fillimisht rezulton se i ka nisur fotografitë nga numri personal i të shoqit në telefonin e saj. Më pas, bashkëshortja ka takuar një kolege të bashkëshortit me inicialet Sh. M dhe e ka pyetur “A e njeh këtë, kush është kjo?”. Hetimi i bashkëshortes ka rezultuar i përfunduar sapo ka mësuar se bëhej fjalë për një police dhe që ishte gjithashtu kolege me të shoqin.

Siç thuhet më tej në materialin që Gazeta “Si” disponon, gruaja ka telefonuar “kolegen”, duke i thënë “Të të vijë turp, je edhe police”. Por grindja mes çiftit është bërë akoma më shqetësuese, kur nga njëra anë bashkëshortja ka kërkuar llogari, ndërkohë që polici ka thënë “Nuk e kam idenë kush m’i ka nisur fotografitë, atë numër nuk e kam të regjistruar”. Ndërkohë që kolegia këmbëngul mbi shoqërinë me policin. I gjithë ky sherr me kanosje e kërcënime, u referua nga policia për t’u zgjidhur në organin e akuzës. Sidoqoftë, mund të jetë dhe një keqkuptim dhe jo siç dyshon bashkëshortja, e cila nuhat era “tradhti”.

Gjithçka është referuar nga Policia e Shtetit këtë të martë, me kërkesën për të sqaruar këtë histori.

Marrë nga Gazeta Si