Fatmir Bashli nji vazhdues dinjitoz i traditës së humorit shkodran…

Humori asht nji prej mënyrave t’jetuemit, nji prej atyre gostitjeve sarkastike, t’cillat brez mbas brezi janë trashëgues, jo vetëm si një vlerë përfaqësimi, por si nji mënyrë e sfidës ndaj nji ngarkese gjithnji e ma rrënuese për supet dhe kurrizet e kërrysuna t’halleve e derteve n’kyt copë hekakeqe të Evropës plakë. Shkodra nuk mund të kuptohet pa humorin popullor, pa përfasuesit e saj t’zashëm dhe virtuoz, siç nuk mund të pranohet Marsi pa të kuqrremtën e vet mistike.

 

Humori n’kyt qytet ka lindun e asht rrit si nji pjestar familjeje, jo krejt si gastorët e pallateve monarke, por si ajo gjaja qi i shton lezetin nejes e kuvendit. T’tan n’Shkodër e ushqejnë këtë ngacmues, kyt çlirues të emocioneve t’kqija, si në një profilaksi mjeksore, dhe… ka funksionu mrekullisht mirë. Kush s’din me ba me qesh dhe me këndu, me kriju e me mrekullu me veprën e vet, ka pak gjas me ken shkodran e me marr kyt status t’privilegjum.

 

Ndërsa flasim për humorin si traditë dhe si vokacion t’Shkodrës dhe shkodranve, m’kanda me u ndal tek nji personazh jopublik, i cilli na ushqen çdo ditë me humorin e tij në postimet qi ai ban në Facebook.

 

E quajnë Fatmir Bashli, dhe asht një prej personave qi kam njohun n’Facebook dhe do t’kisha dëshiru me i’a rekomandu gjithkujt virtuozitetin e tij krijues, gjithsecillit qi ka nevoj me fillu ditën me gaz e hare. Fatin e kam mik në Facebook, për nji arsye shumë të thjeshtë, për me i dhan nji mundsi vedit me qesh me tan shpirt. Nuk m’kishte ba vaki me qesh njaq shum’ me diçka, se sa me copëzat e tij të jashtëzakonshme. T’duket vedja sikur edhe ti je pjesë e kësaj mizanskene gazmimi, e kësaj t’mundshme me u mbush me dritën qi zgjon s’brendshmi teje vetë humori.

 

Shkodra ka pas dhe vazhdon me pas njerëz t’lindun për humor, njashtu si për t’tana fushat e tjera me t’cillat ajo identifikohet dhe përfaqsohet denjsisht, dhe Fatmir Bashki asht njani prej tyne. Humori i tij asht sa i natyrshëm aq dhe shpërthyes. Shkaset për t’qeshuna të Fatit, dalin ashtu papritun e marrin hov shpërthimi prej t’zakontes së çdonjenit pej nesh, prej çasteve t’çdoditshme e peripecive qi mbushin larmishëm momentet tona t’zakonta, që kur çilim sytë e deri si prehena n’gjumin e natës.

Banaliteti jo domosdoshmërisht asht nji arsye me ken grishje situatash humori dhe rasti i Bashlit asht ma domethansi. Mundesh me lexu dhjetra postime të tij n’Facebook dhe t’ndihesh njaq i përfshim prej gjanave dhe gjendjeve, me t’cillat ai e ngre kultin e humorit, sa t’duket gjithçka e prekshme dhe aspak e sforcume. Ai asht gjithkund ku ti ndodhesh dhe shndrron gjithçka t’zakont n’nji vezullim humori. Gjithkund ka skuta t’errta ku s’hyn dritë, Fati nxjerr një motivim humori. Ai denoncon dhe fshikullon, tallet dhe bahet ndëshkues, mëton dhe sendërton gjithçkanë e një çasti të vetëm shpërthimi n’gaz.

Deshta me shkru dy fjalë për Fatmir Bashlin, kyt prodhimtar t’palodhun t’humorit, jo vetëm duke përzgjedh kyt mënyrë me i ken mirënjohës për humorin, me të cilin na qeras çdo ditë, por duke e promovu kyt emën, si një personalitet i rëndësishëm dhe pasues dinjitoz i asaj plejade krijuesish dhe shkruesish, të humorit shkodran.

 

Fatmir Bashli asht nji humorist dhe kjo ndoshta nuk asht diçka e jashtëzakonshme për nji shkodran, t’cillët e kanë n’gjak kyt cilsi, por humori qi ai ban asht kaq i natyrshëm dhe i atypëratyshëm. Në shumicën e herëve, humori i Bashlit nuk asht thjeshtë një mundësi për me t’nxjerr nga gjëndja e plogësht dhe trazimit, por edhe nji shkas me t’dhuru momente t’papërsëritshme t’qeshunash shpërthyse.

Ne t’gjith e duam humori dhe ai na grish, na pëlqen dhe na bën të ndihemi ndryshe. Fatmir Bashki asht nji mundësi i garantume për me qesh e për me ken i mbushun plot me dritën e gazmendit.

Sot gjithkush përpiqet me ba humor, shpesh gjendja jon apatike dhe tejet e tendosun nga bartja e problemeve të gjithfarshme, na hedh nëpër këto qasje çliruese. Zaten humori, nga kjo është konsideruar si një profilaksi e rekomandueshme për të gjithë, madje edhe për ata që edhe pse nuk e kanë gjetur rrugën për tek doktori, e gjejnë atë për tek vuajtja që i çon te nevoja për me qesh.

 

“Gazi është si një shkrepje vetëtime, qe shpërthen mes një reje te erret, dhe xixëllon për një çast ; hareja mban një lloj dite-shkëlqimi ne mendje, dhe e mbush atë me një qetësi te vazhdueshme dhe te përhershme.” mëton Joseph Addison, dhe asht pikërisht ky përkufizim ai që përcakton profilin e plotë të këtij personazhi humori.

 

Fatmir Bashli, n’dijenin teme, edhe pse nuk asht pjesë e ndonji organizmi artistik, ndonjë mobilizimi shkrues humori, ai do ta nderonte çdo panel krijues dhe do të begatonte çdo skalet programesh humoristike. Nëse dikush asht i interesum me pasunu koleksionin e vet privat me skica, grimca, gazmime e shpërthime t’qeshunash, ky emën, ky kapacitet, ky virtuozitet, asht zgjedhje e duhun, asht gjetje për perspektivën krijuse.

 

Grumbullimi dhe sistemimi i kësaj prodhimtarie t’bollshme të Fatmir Bashlit asht nji detyrim obligus, asht nji punë e lodhshme por mbetet nji shërbim qi ne i bajmë humorit shkodran në veçanti dhe atij gjithshqiptar në përgjithsi. Gjithsesi duhet me pranu se sot, pakksh ka nge me ba diçka me t’cillën nesër dikush do të mburret, sepse kurrkush nuk mundet me kapërcy interesin e hunës s’vet.

 

T’tan jan t’meçun, t’tan din me ba humro, e t’tan din me shkrue, kriju e me këndu, por ata qi jan t’lindun me ken e me ba diçka, janë pak. Me pak fjalë, krijimi, virtuoziteti asht i kërcënum se duhet me u tregtua n’nji pazar ku t’tan shesin e kurrkush nuk blen.

 

E megjithatë, Fatmir Bashli nuk e vret mendjen për kyt fakt, ai ban humor n’terezi t’vet, për vedi e për admiruesit e vet. Jeton me humorin e për humrion, por bukën e gojës dhe tarezin e familjes e siguron si t’tan na, me vështirsi e sakrifica.
Faleminers Fatmir Bashli për humorin qi ban e t’qeshunat qi na dhuron.

/Nga Albert VATAJ/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...