Shtëpia që shihni në foto, është nga më të vjetrat e më të bukurat në Shkodër.

Në këtë shtëpi e cila më 1964 është shpallur Monument Kulture, jeton shkodrani Engjëll Çeka – trashëgimtari i Filip Çekës (që njihet edhe me mbiemrin Summa), pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit, i cili me trupat vullnetare shkodrane ka marrë pjesë në luftën e Plavës dhe Gucisë e më vonë edhe në mbrojtjen e Ulqinit.

 

Hyrja në oborrin e përparmë të shtëpisë së Engjëll Çekës

 

Filipi ishte iniciatori dhe nënshkruesi i telegramit të protestës që iu dërgua Kongresit të Berlinit kundër copëtimit të trojeve shqiptare. Ndërsa, sipas Gjergj Fishtës, ishte ideja dhe kërkesa e tij që “Lidhja e myslimanëve të vërtetë” të quhet “Lidhja shqiptare e Prizrenit”.

 

Patrioti dhe luftëtari i madh, Filip Çeka

Filipi ka vdekur më 1895. Emrin e tij e trashëgon nipi (djali i vëllait, babai i Engjëllit), një tregtar dhe funksionar i kohës së Zogut.

 

Pamje nga kati i parë i shtëpisë

Shtëpia është mbi 250 vjet e vjetër dhe ruan bukurinë e dikurshme. Ka dy kate. Njëri kat ka 290 metra katrorë. Ajo është ndërtuar nga guri, nga mjeshtrit dibranë.

 

Fotoja e bërë nga Gegë Marubi më 1936

Muret janë një metër të gjëra për çka tërmetet që goditën qytetin nuk e kanë dëmtuar. Secila dhomë e kësaj shtëpie kishte hamamxhik.

 

Hyrja për në odë…

 

Në njërën dhomë të katit të dytë është oda ku është ruajtur trapazani, dollapët në mure, tavani dhe orenditë e drurit. Me bukurinë e kësaj dhome ishte mahnitur edhe Gegë Marubi, i cili e fotografon më 1936. Pothuajse asgjë nga ajo foto sot nuk ndryshon. Aty janë edhe mirënjohjet dhe dokumentet që për Filip Çekën ka lëshuar Franca, Vatikani…; është sënduku i pajës së gjyshes së Engjëllit, Tinës, i punuar në Venedik; trungu familjar i realizuar në pikturë; fotografi të vjetra të nënës, babës, axhës, hallës, gjyshit, gjyshes së Engjëllit… Aty është edhe fotografia e trimit dhe luftëtarit të madh, Filip Çeka.

 

Trapazani i odës

 

Në këtë shtëpi sot jeton Engjëll dhe Mikel Çeka, në hyrje të ndara. Engjëlli është zotëri i rrallë dhe qytetar shumë i respektuar i Shkodrës. Si anëtar i një nga familjeve më të vjetra të Shkodrës së kulturës, ai bart në vete anët pozitive të qytetit tjetër të kulturës, Korçës, nga ku vinte edhe nëna e tij, Marika Lako. Ndaj, në kontaktin e parë shpërfaq atë modestinë, urtësinë dhe kulturën që i karakterizon pjesëtarët e familjeve të ngritura e me traditë.

 

Për më shumë, shikojini fotot, si dëshmi e traditës dhe kulturës së fisshme shqiptare. /Telegrafi

Tavani i vjetër i drurit
Oxhaku i vjetër…

 

Sënduku i pajës së gjyshes së Engjëllit, Egetinës (Tina), i punuar në Venedik…
Trungu i familjes Çeka (Summa)
Një pjesë e vogël e historisë së Filip Çekës
Burrat e mëdhenj të Shqiptarisë…

 

Pamje nga oda e bukur…

 

Ballkoni i shtëpisë…

 

Engjëll Çeka

 

 

Dorëza e shpatës së Filip Çekës…