E ftuar sot në “Ftesë në 5” ishte sipërmarrësja shqiptare Silva Baltadori, së bashku me vajzën e saj, Mabel.

Si gjithmonë, ajo ka folur pa komplekse për jetën private dhe ka treguar më shumë për marrëdhënien e mrekullueshme që ka me ish-burrin dhe mirëkuptimin me partnerin aktual. Madje, Silva ka thënë se kur ka konflikte me partnerin e saj hollandez, Dikun, ajo telefonon ish-bashkëshortin, Xhorxhon.

“Unë kam jetuar një dashuri shumë të madhe me babain e Mabelit, sot jemi miq të mrekullueshëm. Më beso, është ndoshta tabu, por nëse kam ndonjë konflikt të vogël me Dikun, unë marr në telefon Xhorxhon. Më beso! Nuk jam fare hipokrite. Jemi vërtet miq të mrekullueshëm.

E thashë dhe më parë, martesa jonë derivoi dhe ne morëm dy drejtime të ndryshme. Ishim shumë të rinj, së pari dhe maturimi bëri që të ngjisnim shkallë të ndryshme. Ishim natyra të ndryshme dhe jemi karaktere të ndryshme. Kjo është e vërteta!” –është shprehur Silva.

Po ashtu, ajo ka shtuar se Krishtlindjet i kanë festuar të gjithë së bashku, edhe me Xhorxhon, edhe me Dikun, si një familje e madhe.