Ndryshimet ne ligjin antimafia janë pjesë e paketës anti-KÇK që Qeveria pritet të dërgojë në Parlament.

Sipas draftit të publikuar në media bie ne sy transferimi nga Ministria e Financave tek ajo e Punëve të Brendshme, te agjencia që administron pronat e sekuestruara dhe konfiskuara, gjë që rrit edhe më shumë fuqitë e ministrit Sandër Lleshaj.

Çdo janar ministri i Brendshëm do t’i raportojë Këshillit të Ministrave mbi pronat e sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi. Sipas amendimeve në ligji antimafia, 60% e fondit të siguruar nga agjencia që administron pasuritë e krimit, do t’i kalojë Policisë së Shtetit. Ndërsa 5% do të shkojnë për shpërblime për policët.

Në rast anulimi të sekuestros pas justifikimit të pasurisë, të interesuarit duhet të jenë të vëmendshëm për të rimarrë atë në kohë. Këtë e saktësojnë ndërhyrjet e parashikuara në ligjin organik të kësaj agjencie, pjesë gjithashtu e paketës anti-KÇK, që disponon A2.

Tashmë agjencia do të menaxhojë jo vetëm pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara në bazë të ligjit antimafia, kodi penal, ligji kundër terrorizmit por dhe ato që janë objekt i ligjit special apo dhe provat materiale që sekuestrohen nga Policia apo Prokuroria.

Aktualisht janë 189 pasuri të sekuestruara nga krimi i organizuar me vendim gjykate. Në të përfshihen llogari bankare, prona të luajtshme dhe paluajtshme dhe vlera e tyre llogaritet 26 milionë euro. 59 të tjera janë konfiskuar me vendim të formës së prerë me një vlerë rreth 6 milion euro.

Por duket se kjo performancë e institucioneve të drejtësisë nuk kënaq Qeverinë, arsye për të cilën hartoi paketën anti-KÇK. Ajo parashikon ndërhyrje në 5 ligje, 1 prej të cilave, ligji special, u krijua nga e para me efekt veprimi 1-vjeçar. Pjesë e paketës që synon të miratohet brenda këtij 3-mujori, janë dhe ndryshimet në ligjin antimafia, kodin penal, Policinë e Shtetit dhe për agjencinë që administron pronat e sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi