Një automjet tip fiat ngjyrë e zezë me targa AA 102 IE i cili po qarkullonte me shpejtësi ka dalë nga rruga dhe më pas është përmbysur në një kanal me ujë anës rrugës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm në fshatin Juban të njësisë administrative Gur i Zi. Në makinë ka qënë një 25 vjecar nga fshati Mushan i Dajcit të cilit në një moment i ka dalë makina jashtë kontrollit dhe pasi është përplasur me një bordurë, makina është rrokullisur për disa metra duke përfunduar në këtë kanal.

Mësohet se I riu punonte si kamarier në një prej lokaleve në fshatin Beltojë dhe po dergonte në shtëpi kolegun e tij që banonte në Juban. Në kthim ai ka humbur kontrollin e mjetit duke përfunduar në kanalin me ujë.

Ndonëse ka qënë i vetëm në makinë dhe kishte marrë disa plagë ai ka arritur që të dalë nga makina dhe ka ecur ashtu zvarrë për disa metra për të kërkuar ndihmë. Më pas i ka dërguar mesazh pronarit të tij se është aksidentuar dhe ndodhet I plagosur në rrugë.Menjëherë pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes ky i fundit e ka transportuar për në spital.

Bluzat e bardha bëjnë të ditur se shoferi i makinës ka marrë disa plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe policia, ndërsa ka nisur puna për zbardhjen e shkaqeve.