Që nga peizazhet fantastike të liqenit e restorantet e shijshme anës tij, tek monumentet e shumta historike e kulturore, Vau i Dejës ja del të jetë gjithnjë surprizues. Zbuloni të gjitha arsyet përse ja vlen ta vizitoni këtë vend!

1. Historia

Më së pari ja vlen të vizitoni Vaun e Dejës për historinë. Qyteti i hershëm i Vaut të Dejës njihej me emrin e Dejës apo Danjës, dhe u themelua rreth shekullit të 11-të. Tek sa jeta e qytetit ishte mjaft e zhvilluar, prej asaj periudhe mund të admirojmë ende rrënojat e Kalasë së Danjës, që daton rreth shekullit të 14-të.

 

Pozicionuar në majë të një kodre shkëmbore, 120 metra mbi nivelin e detit, kalaja ishte sinkronizuar me fortifikimin e luginave të Shkodrës dhe Drinit. Kalaja shërbente si një pikë strategjike kontrolli e fushës së Zadrimës, rrugëve të Shkodrës apo Lezhës.

Kalaja e Danjës, foto nga Bashkia e Vaut të Dejës.

 

2. Liqeni

Liqeni i Vaut të Dejës është një tjetër arsye madhore përse duhet të kaloni një fundjavë këtu. Formuar në vitin 1971 nga ujëmbledhësi i Drinit, liqeni zgjatet nëpër gryka malesh e natyrë tërheqëse, duke e bërë mjaft poetik qëndrimin tuaj aty.

 

Sipërfaqja e liqenit është 24.7 km, dhe ka një thellësi prej 52 metrash, dhe në të është ngritur hidrocentrali i Vaut të Dejës. Që nga peshkimi, tek shëtitjet me varka, apo edhe thjesht banjove në ujërat e liqenit, mundësitë për të kaluar cilësisht kohën tuaj këtu janë vërtet të shumta.

 

Liqeni i Vaut të Dejës, foto nga IntoAlbania.

 

3. Restorantet dhe hotelet

Restorantet dhe hotelet këtu janë në sintoni me natyrën fantastike përreth liqenit. Ushqimi është sa tradicional aq edhe modern, e ndërkohë pjesa më e madhe e strukturave turistike janë përpjekur të vendosin theksin përherë tek natyra.

 

Kompleksi turistik “Dea”, Vau i Dejës, foto nga IntoAlbania.

 

Bar Restorant Perla,Vau i Dejës, foto nga IntoAlbania.

 

4. Ushqimi

Gatimi ka qenë përherë një nga pikat më të forta të Vaut të Dejës, e jo më kot kjo zonë krenohet me pjatat e gatuara plot shije. Menuja e restoranteve përfshin emrat tipike si mëlçi viçi në tjegull, tavë krapi me peshkun e liqenit, lakrorin, pulë fshati me qull apo tavën e dheut.

 

“Mullari” në Vaun e Dejës, foto nga IntoAlbania.

 

5. Ishulli i Sardës (Shurdhahut)

Përveç Kalasë së Danjës së përmendur në fillim të artikullit, ka vende të tjera me interes historik e arkeologjik që ja vlen t’i vizitoni. Rrënojat e Kalasë së Shurdhahut janë nga më mbresëlënëset, për faktin se ndodhen në një ishull të liqenit, të krijuar me ndërtimin e digës. Aty njëherë e një kohë shtrihej qyteti mesjetar i Sardës, i njohur si pikë takimi mes kulturës së Malësisë, asaj të Zadrimës si dhe Mirditës. Kliko këtu për më tepër.

 

Rrënojat e Sardës, foto nga Terenc Pepa

 

E nëse jeni të interesuar për të zbuluar më shumë mbi kalatë përreth Vaut të Dejës, mund të vizitoni gjithashtu Kalanë e Vigut, e njohur si një nga tre kalatë ushtarake romake në Shqipëri.

6. Rrënojat e Kalasë dhe Ipeshkvisë së Sapës

Që 950 vjet më parë në malin e Shën Mëhillit ngrihej qyteti i Sapës me dioqezën e fortifikuar që njihej dhe si Kalaja e Sapës. Nëse vizitoni fshatin Nënshat në komunën Hajmel, do të keni mundësi të shikoni nga afër rrënojat që dëshmojnë për të shkuarën e qytetit të Sapës, që u dogj e shkatërrua nga mësymja tartare në shekullin e 13-të.

 

Rrënojat e Ipeshkvisë së Sardës. Foto nga Bashkia e Vaut të Dejës.

 

Por përtej rrënojave, mund të vizitoni dhe Dioqezën aktuale të Sapës, e cila ndodhet në qytetin e Vaut të Dejës.

 

Dioqeza e Sapës, në Vaun e Dejës. Foto nga IntoAlbania.

 

7. Objektet e tjera të kultit

Kisha e Shën Mërisë mbart me vete një histori të trishtë. Ndërtuar rrëzë malit të Dejës rreth viteve 1300, ishte një ndër kishat më të vjetra në Shqipëri, deri sa u shemb gjatë regjimit komunist në vitin 1969. Sot mund të dallohen vetëm rrënojat e kishës së vjetër që rrethojnë kishën e re që mban të njëjtin emër.

 

Kisha e vjetër e Shën Mërisë, foto nga Bashkia e Vaut të Dejës.

 

Kisha e re e Shën Mërisë, ngritur në të njëjtin vend ku ndodhej dhe kisha e vjetër. Foto nga IntoAlbania.

 

Objektet e kultit janë vërtet të shumta në Vaun e Dejës. Një tjetër monument kulture i kategorisë së I-rë është dhe Kisha e Shën Markut, që përmendet që në vitin 1400. Sipas gojëdhënave të ardhura deri më sot, kisha u ndërtua për nder të fitoreve të Skënderbeut ndaj venecianëve.

Rekomandime të tjera:

Tek sa ndodheni në Vaun e Dejës, mund të vizitoni dhe Qëndistari “Zyberaj”, që ju mundëson të shikoni nga afër apo të blini kostume popullore apo punime të tjera tradicionale.

 

Kostume tradicionale në Qëndistari “Zyberaj”, foto nga IntoAlbania.

 

Punime tradicionale në Qëndistari “Zyberaj”, foto nga IntoAlbania.

Nëse doni të vizitoni Ishullin e Sardës, kontaktoni me Sarda Tours në facebook, apo telefonojini në numrin: 068 880 0230.

Nga: IntoAlbania