Ditën e djeshme i ftuar në emisionin ‘Tempora’ në RTV Ora ishte aktori, moderatori dhe producenti Ermal Mamaqi. Ai ka folur për filmin e tij më të ri, të titulluar ‘I love Tropoja’, premiera e të cilit do të mbahet me 29 janar në Pallatin e Kongreseve ku do të jepet dy javë rrjesht.

Ermali ka treguar se është bazuar te gojëdhënat që ka dëgjuar rreth Tropojës për realizimin e filmit. Moderatorja Sonila Meço i ka treguar në studio një video të reperit të njohur Stresi, i cili është po nga Tropoja dhe i ka dërguar Ermalit një mesazh paralajmërues.

‘Përshëndetje Ermal, shpresoj ta kesh bërë mirë filmin për Tropojën time, të kesh treguar vlerat e atij qyteti, krenarinë, besën, dashurinë që kemi për njëri-tjetrin. Shpresoj ta kesh bërë mirë se përndryshe…s’do performosh më’, shprehet Stresi në formë ‘paralajmërimi’.

Ermali e ka pritur me të qeshura videon e Stresit, i cili përpos shakave, është shprehur se ‘I love Tropoja’ është filmi më i bukur shqiptar për momentin dhe ka përgëzuar Ermalin për arritjen.