Policia Rrugore në të gjithë vendin vendosi në total 502.800 gjoba për shkelje të ndryshme, ku 670 prej tyre u vendosën ndaj këmbësorëve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ku numrin më të lartë e mban Tirana.

 

Report Tv bëri një vëzhgim në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, ku vihen re qytetarë të shumtë që nuk respektojnë vizat e bardha edhe pse ndodhen shumë pranë rrugës ku ata kalojnë.

Të gjithë këmbësorët që deri më tani nuk kanë respektuar shenjat e qarkullimit rrugor duke mos kaluar në viza të bardha apo mbikalime, gjoba ka variuar nga 500 deri në 2 mijë lekë. E ndërsa me ndryshimet që pritet t’i bëhet Kodit Rrugor, gjoba do të variojë nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë.

 

Por çfarë mendojnë qytetarët për gjobat e këmbësorëve, në një kohë kur në sondazhin e Ministrisë së Brendshme rezulton se 90% e votuesve janë pro rritjes së masës administrative për shkelësit e rrugës.

 

“Patjetër duhet të gjobiten. Ne nuk respektojmë vizat e bardha, nuk flasim dot me lekët e reja dhe nxjerrim gjëra në trotuar, si pështymë, përveç pikave të tjera që ne nuk futemi dot tek evropianët duhet të jenë edhe këto. Gjoba të jetë 1 mijë lekë të vjetra”.

 

“Në radhë të parë të gjobitet shoferi, se shoferi nuk i respekton vizat e bardha jo këmbësori. Gjoba për drejtuesit e mjeteve që lëvizin me celular të jetë sa më shumë më mirë, me celular t’i hiqet patenta. Për këmbësorët të ketë një gjobë të lehtë. Nëse vendoset 100 mijë lekë, pensionistët aq kanë pensionin si mund ta paguajnë?”.

 

“Mendoj se duhet të gjobiten. Deri në 10 mijë lekë mund të jetë e përballueshme”.

 

“Nëse është rregulli edhe ata duhet të gjobiten si gjithë të tjerët. Edhe drejtuesit e mjeteve të mos e përdorin celularin se ndodhin aksidente pastaj”, shprehen banorët.

 

Por si gjobiten këmbësorët? Nëse një qytetar kapet në shkelje, efektivi i rrugores e ndalon atë dhe në fletën e gjobës shkruhet numri i kartës së identitetit apo letërnjoftimit që ai ka me vete. E ndërsa këtë dokument qytetari nuk e disponon në atë moment, policia e shoqëron në komisariat për ta identifikuar.

 

Një tjetër propozim një Policia pritet të bëjë në Kuvend për rrijte të vlerës së gjobës, do të jetë për shoferët që drejtojnë mjetin duke përdorur celularin. Në vitin 2018, Policia Rrugore rekomandoi në Kuvend ndryshimet në Kodin Rrugor që gjobat për shoferët që drejtojnë mjetin duke përdorur celularin të varionte nga 50 mijë deri në 150 mijë lekë të vjetra, por ky ligj nuk u miratua për shkak të mungesës së 84 votave. Ndërsa tashmë, me ndryshimet e reja që pritet të bëhen në Kodin Rrugor, pritet që masa administrative apo gjoba që mund të vendoset për këta drejtues mjetesh të cilët lëvizin me celularë do të gjobiten nga 200 deri në 300 mijë lekë të vjetra.

 

Statistikat e policisë kanë treguar se përdorimi i celularit në timon është një nga shkaktarët më kryesorë që kthehet në burim aksidenti. Gjoba për përdorimin e celularit tashmë varion nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të vjetra. Vitin e kaluar në të gjithë vendin policia vendosi 59.200 gjoba vetëm për shoferët që lëviznin me celularë. Në total, vlera e gjobave të vendosura gjatë 2019-ës kap vlerën e rreth 700 milionë lekëve, 640.000 prej të cilave janë vendosur për drejtuesit e mjeteve që kanë përdorur celularin në timon.