Një shkrim nga Edlira Gjoni

Ndjesi mëngjesi në një mjedis surreal në Shqipërinë në gjendje të jashtëzakonshme e me 12 mijë njerëz që ngrijnë nga të ftohtët në pritje të vendimeve në emër të tyre:  Në ashensor u ndesha me tre zonja e dy zotërinj që punojnë në nivele të larta vedimmarrje që më bënë të ndjehesha e veshur si pa lidhje.

 

Vetëm këpucët e njërës prej tyre kushtonin sa gjithë veshja ime, bashkë me shpenzimet e mia jetike brenda. Si ditë e zakonshme pune, unë hyra në holl me kete veshje :
Fund OVS, 28 euro; Bluzë Ann Taylor-30 dollarë; Pallto Tahari-99.99 dollarë: Këpucë e çantë Tamaris, 70 e 90 euro.

Edhe të gjitha këto bëjnë pjesë tek veshjet e mia “të shtrenjta”, unë i kam gjurmuar ato në sezonin e uljeve dhe jam shumë e kënaqur t’i kem! Të gjitha këto përballohen nga të ardhurat mujore, por nuk ka shans të blihen për një muaj.

Po nëse unë punoja në administratë, si zonjat në ashensor, me 70 mijë lekë në muaj, Ja 80 mijë, Si do i bleja vallë: Këpucët portokalli (pra akoma më të pazakonta, dmth më të shtrenjta), nga McQueen, mbi 3 mijë euro?

 

Kostumin me pantallona, 2500 euro?
Pallton 4 mijë?
Çantën Michael Cors?
Syzet Miu miu?
Bizhutë Versace?
Kurimin te parukieria në bllok?

 

Të gjitha këto teksa 3 zonjat e dy zotërinjtë, po aq të pispillosur, po shkonin në një aktivitet politik në Shqipërinë tonë me çadra! Mua m’u duk vetja vërtet jashtë vendi në atë ashensor e holl ‘xixash’, por kur dola jashtë, edhe kaq sa kisha veshur mu dukën të tepruara!