Nga Ardit Rada

Tabloidi gjerman “Bild”, jo pak i njohur për shqiptarët, ka vendosur ta fshijë shkrimin që kryqëzonte Lulzim Bashën për lobimin rus. Vendimi nuk dihet në çfarë rrethanash është marrë, por hijet e dyshimit janë të mëdha për aq kohë sa artikulli e trazoi jo pak qetësinë e të dielës. Pra, opozita e Lulzim Bashës që në pranverë bënte thirrje për ta djegur vendin me kopertinën e “Bildit” në dorë, dje ka mbetur e befasuar dhe ka nisur të lëvizë ‘gurët’.

Hidhërimi që mund të ketë shkaktuar në selinë blu shkrimi se Basha ka paguar kundër hapjes së negociatave, është mëse i kuptueshëm. Por ‘rrëshqitja’ e një artikulli të tillë që në thelb kishte provat e amerikanëve tregon se edhe ‘Bild’ është i gabueshëm, por jo se nuk mund të gjejë kompromisin alla-shqiptar. Me fshirjen e artikullit, duket se u konfirmua edhe një herë marrëdhënia e veçantë që Lulzim Basha ka me gazetën në fjalë.

Pas bisedave telefonike që tabloidi publikoi për Dibrën dhe Durrësin, lidhjet mes PD-së dhe gazetës gjermane u bënë të dukshme. Kjo, pasi ishte tepër e thjeshtë të konstatoje se materiali në gjuhën shqipe ishte servirur i përkthyer dhe i titruar në kohë rekord. Punë që mund ta bënin vetëm shqiptarët. Por nga sot, PD e çimentoi konstatimin se mes saj dhe “Bild” ka një marrëdhënie të veçantë. Para faktit të sotëm, ku artikulli u zhduk nga faqja e gazetës brenda 24 orëve, mbeten disa pikëpyetje:

Çfarë detyrimi ka “Bild” ndaj Lulzim Bashës saqë sakrifikon edhe reputacionin e saj? A u duhet një sqarim shqiptarëve dhe gjermanëve nga gazeta, apo sqarimin duhet ta presim nga selia e PD? Duket se Bashës i paskan mbetur ende para nga ato të lobimit. Mirë që paguan për të botuar, por tani mesa duket i duhet të paguajë edhe për të fshirë shkrime.