Një skandal është regjistruar në Komisariatin e Policisë së Elbasanit, ku janë gjetur 9 armë pa leje. Armët pa leje, kryesisht automatikë, model 56, qëndronin prej më shumë se dy vitesh në zyrën e shefit të rendit të komisariatit.

 

Armët nuk ishin të pajisura me dokumentacion apo procesverbal që të vërtetohej origjina e tyre. Nuk dihet se nga kanë ardhur këto armë, me të cilat mund të jenë kryer edhe ngjarje kriminale.

 

Këtë zyrë e kanë trashëguar disa persona, por nuk dihet se si kanë qëndruar aty për 2 vite radhazi. Shefi i rendit në Komisariatin e Elbasanit Faik Ruko, i cili u emërua vetëm pak kohë më parë, i kërkoi paraardhësit të tij dokumentacionin e këtyre armëve dhe pasi nuk është gjetur, i është drejtuar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

 

Pas kësaj, SHÇBA ka hapur hetimet për të zbardhur origjinnën e 9 armëve.