Disa media nacionaliste greke kanë kërkuar që gazetarja e emisionit “Fshatrat e Shqipërisë” Ilnisa Agolli të shpallet person “non grata” në Greqi. Kjo vjen pas emisionit të transmetuar më 11 janar, me temën “Derviciani, fshati që refuzon shqipen”.

Derviciani ndodhet në zonën e Dropullit në Gjirokastër, por nisur dhe nga kronika, aty has vështirësi të mëdha komunikative edhe pse je në tokë shqiptare. Banorët i njohin të dyja gjuhët, por shqipen e refuzojnë.

Pikërisht kjo ka ngjallur debate në Greqi ku Star News ka bërë një kronikë kundër gazetares, ndërsa media të tjera kërkojnë t’i refuzohet hyrja në vendin fqinj.

Për këtë ka reaguar edhe gazetarja e cila shkruan: “Zhurmë e madhe sot në mediat greke”.

Gjithashtu edhe Marin Mema, gazetar i televizionit “Top Channel” është shpallur i padëshiruar “non grata” nga autoritetet greke, si element që përbën rrezik kombëtar për shtetin grek.