Kohnat, kur dashnija ka jetu pa kushte!

Nga Fjolla Spanca

Kur flokët e para t’Borës niseshin për me e përqafue tokën, gzimi jonë s’kish t’përthekuem!

I mbaronim detyrat shpejt e shpejt… mandej gjellën me lakna turshi, bukën e kallamojtë, pasulin me mish të terun, kungullin e pjekun, piten me djath, kosin, vote me mjaltë… kreeejt, kreeejt i kemi hongër, veç me na lonë me dal jashtë…

 

Me kapuq e doreza, me sajen e bacit n’kurriz i ngjisnim shkallët plot borë n’oborr t’dajve! Nana ish mas neve, na rujke, derisa na dilnim n’krye t’mahallës!

 

Si ushtri, rreshtoheshim dy nga dy, e nisnim me rrëshkit n’borën e parë! Rrzoheshim e çoheshim me lotët e gazit e tuj ja kapun dorën njani-tjetrit e vazhdonim lojën! Herë mas here, n’çdo ballkon e oborr t’lagjes, dilte nana/ motra e madhe e njanit prej nesh, me na kontrollue se a ishim të tanë mirë…

 

Natyra, Kiki, Doni, Floriana, Sihana, Allma, Tuki, Lena, Trimi, Lenti, Albana, Ilja, Valoni, Besa, Shpresa, Rina, Parlotja, Gresa, Gramosi, etjetjetj… sa shumë jena kanë! Hala ma shumë jena knaq! Jemi idhnu – jemi pajtu: kemi qesh e kemi gzu, me topa bore e dardaleca! I kemi nda copat e bukës; e gjithë kemi pasë!

 

Shumë ama kemi pasë! Kemi kërkue falje e jemi knaq me pak! Me fjolla bore kur kërcejshim n’sokak! Shpija e bacit (gjyshit Hamdi) gjithmonë ka qenë e Bardhë; e madhe; e paqtë! Aty mblidheshim të tanë, t’qullosun e pak t’mavijosun! Bajshim zhurmë, derisa fillonin lajmet! Kur e kthente baci kryet me na kqyr, na e kuptojshim se kish ardhë koha me u shtri… pak protestë tuj i ngjitun shkallët e katit t’dytë; pastaj plooot t’qeshuna, derisa na mbylleshin sytë! Ca ma vonë, baci ju thojke çikave t’veta (tezeve t’mija) që munden me dal me saja, se fmijtë i kqyr ai vet…

 

Atëhere, prej sipër e nigjojshim t’kërsitunen e derës së oborrit edhe gzimin e “fëmijëve” që ja falnin dimnit t’qeshunat pa hile, prej loçkës së zemrës!

Ishin kohnat, kur mahalla ish shpija jonë!

 

Kohnat, kur dashnija ka jetu pa kushte!

Kur fmijtë me qizme plastike e qorape prej leshi, rriteshin pa tutë… kohna t’lehta, t’mira, t’thjeshta!

Kohna t’patrazueme për Shpirtin njomak!

 

Kohna t’varfnisë!

Stinë t’Pasunisë, së patundshme!

Stinë Dashnish t’vockla; andrrash t’mdhaja!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...