Koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi shprehet se ndryshimi i sistemit politik duhet të kthehet në një kauzë të fortë për të gjithë ata që e besojnë atë. Sipas Patozit “kush ka menduar se ndryshimi do të vinte lehtësisht në Shqipëri nuk ka kuptuar asgjë nga kjo histori”.

Astrit Patozi shkruan:

“PSE NUK DUHET TË MËRZITEMI NGA DALJA NË SHESH E MBROJTËSVE TË SISTEMIT?

Po shoh se po përjetohet me shumë zemërim dhe revoltë shfaqja e pjesës kryesore të politikës zyrtare si mbrojtëse e sistemit tonë të kalbur politik. Ndërsa unë, nuk jam, as i çuditur dhe, as i zemëruar, sepse e kam thënë dhe e kam pritur prej kohësh që pikërisht këtu do të mbërrinim.

Arsyeja se përse pritën deri sot dhe pastaj shpërhyen të gjithë njëherësh si fishekzjarre me telekomandë, nuk ka të bëjë me ndonjë mëdyshje, e aq më pak me ndonjë debat midis tyre gjatë kësaj letargjie politike, që nisi menjëherë pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Thjesht e bëjnë tani për t’i paraprirë shpalljes së të ashtuquajturës platformë për reformën zgjedhore nga Partia Demokratike, për të mos ia lënë Lulzim Bashës të gjithë ngarkesën e këtij akti kundër interesit publik. Ndaj janë duke u shtyrë me njëri-tjetrin kush ta mbrojë më shumë statuskuonë, prej së cilës deri tani kanë mbërritur në rekorde të pabesueshme përfaqësimi. Anjë deputet dhe asnjë këshilltar bashkie në gjithë Shqipërinë.

Është dita që i bashkon në një unitet të admirueshëm me të gjithë të ngjashmit e vet, pavarësisht se ata të tjeret i përkasin mazhorancës së krimit dhe të korrupsionit. Ndaj mos prisni asnjë koment, e jo më reagim, nga përfaqësuesit e qeverisë së bandave dhe të drogës kundër tyre. Sepse sot ata janë plotësisht dakord. Sot ata janë një.

Por megjithë këtë solidaritet të madh mes të fortëve, sot nuk është dita për t’u qarë e ankuar, e aq më pak për të rënë në dëshpërimin që “ky vend nuk bëhet”. Kush ka menduar se ndryshimi do të vinte lehtësisht në Shqipëri nuk ka kuptuar asgjë nga kjo histori. Dhe jo rastësisht optimistët për rrëzimin e shpejtë të kryetarokracisë përkojnë me entuziastët romantikë, që shpresojnë në një mrekulli të menjëhershme prej reformës së drejtësisë. Si ëndërrimtarë nuk janë keq, por në këtë rast ajo që ka vlerë është sensi i realizmit.

Ndryshimi i sistemit politik, jo si qëllim në vetvete, por si instrumenti më i përshtatshëm për të sjellë ndryshimin, duhet të kthehet në një kauzë të fortë për të gjithë ata që e besojnë atë. Sot i kemi të identifikuar kundërshtarët, të cilët nuk po fshihen më pas heshtjes së tyre dhe as nuk po bëjnë më sikur po mendohen. Janë të njëjtët, në fakt, po ata që kanë qenë edhe para nisjes së këtij debati. Natyrisht, që janë të mëdhenj edhe të fuqishëm, por nuk janë të pathyeshëm.

Ajo është një kauzë e madhe, sepse përkrahet nga një masë dërrmuese shqiptarësh të papërfaqësuar, të cilët e duan dëshpërimisht ndryshimin në këtë vend. Dhe si e tillë ajo është e mjaftueshme për të mbledhur rreth vetes të gjithë ata që nuk pajtohen me këtë sistem të degraduar politik, që ka prodhuar përbindësha dhe mënxyra për Shqipërinë, në këto 30 vjet.

Që do të thotë se ky është një motiv shumë më i fortë për të bashkuar të gjithë të ndryshmit e këtij vendi, se sa ai që ka bërë bashkë me njëri-tjetrin në një aleancë djallëzore armiqtë-vëllezër, që për çështje të tjera janë gati t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Le të shërbejë qëndrimi ndaj sistemit si një vatër thithëse për të gjithë ata që nuk e pranojnë regjimin e kryetarokracisë dhe që kanë vendosur të luftojnë apo të bëjnë përpjkejn e tyre për këtë kauzë. Natyrisht, që kjo nuk mund të jetë një aleancë qelbësirash, sepse edhe po mblidhej e ta kishte të sigurt fitoren, ajo nuk do t’ia vlente hiç.

Ndaj edhe sot nuk është ndonjë ditë e trishtueshme për ata që e duan realisht ndryshimin. Veçse ata duhet ta marrin sa më shpejt vendimin për t’iu përkushtuar një beteje të gjatë dhe të vështirë. E cila, sipas të gjitha shenjave dhe gjasave, do të luhet në fushën e kundërshtarit, pra me rregullat e pandryshuara të statuskosë, me ndonjë arnim të vogël dhe të ngjyrosur me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Ndryshe, nuk kanë pse lodhen kot të bëjnë sikur po merren me këtë punë. Sepse kam dëgjuar edhe prej tyre dikë që thotë se, po nuk u ndryshua sistemi, nuk ia vlen fare barra qiranë. Sepse i bie, ose të jenë naivë fare, që kanë shpresuar tek lënia e fushës pa asnjë rezistencë nga balozët e vjetër të politikës, ose e kanë pasur që në fillim me hile për t’u dukur interesantë, duke ndjekur një çështje me ndjeshmëri të fortë publike.”