Me Vitin e Ri erdhi dhe gripi.

Virusi i tij tashmë është në qarkullim dhe kjo konfirmohet nga shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në institutin e shëndetit publik, Silva Bino.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Bino thotë se janë izoluar rastet e para me grip, ndërsa jep këshilla për popullatën e pa vaksinuar si dhe masat qe duhen marrë për parandalimin e gripit.

“Virusi i gripit është në qarkullim. Kush nuk është vaksinuar të shpejtojë. Të gjithë të marrim masat e zakonshme të higjienës si larja e shpeshte e duarve, pastrimi i shpeshte i sipërfaqeve ku mbështetemi me detergjentet e zakonshëm, ajrosja e mjediseve të mbyllura herë pas here kur ato mbushen me njerëz, teshtitja duke përdorur gropëzën e bërrylit si mbrojtje, mos prekja e syve, hundës dhe gojës, evitimi i mjediseve të mbyllura me shumë njerëz”, shkruan mjekja.

Në muajin nëntor në qendrat shëndetësore u krye vaksinimi i grupeve të riskut, ku krahas të sëmurëve kronikë, të moshuarve dhe grave shtatzënë, në vaksinim u përfshinë edhe fëmijët e grup moshave 2 deri 5 vjeç, raporton a2.

Vaksina e gripit përmban shtamin e virusit që qarkulloi një vit më parë, AH1N1 dhe AH2N3.

Ndërkohë instituti i shëndetit publik pritet të komunikojë tipin e gripit që është izoluar dhe është në qarkullim në vendin tonë.