Pak ditë më parë Kryeministri Rama publikoi historinë e Anteos, 13 vjeçarit me aftësi ndryshe që i shpëtoi tërmetit në Thumanë, i cili i shprehu gazetarit të ERTV dëshirën për të pasur dhuratë një Iphone 11.

 

ERTV është rikthyer në Shëngjin, në hotelin ku Anteo është strehuar me familjen dhe ku ai ndjek fizioterapinë, për ta surprizuar me dhuratën e tij të preferuar.

 

Por “babagjyshi” i këtij fundviti për Anteon e vogël, që ka mundësuar realizimin e dëshirës së tij, është bërë Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Luneda Sufali, e cila mori përsipër të realizojë ëndrrën e Anteos duke i blerë Iphone 11.

 

Sufali dhe ERTV e surprizuan djalin nga Thumana teksa ai ishte duke kryer fizioterapinë e përjavshme.

 

“Jam shumë e gëzuar që ne arritëm të të bëjmë ty të lumtur. Iphone do ta përdorësh për foto kur të hyni te shtëpia e re. Jam e sigurt që në të ardhmen ti do të jesh një mjek shumë i mirë, kaq i shkëlqyer sa je në mësime”, i tha Sufali 13 vjeçarit, i cili tha se kjo ishte dhurata më e bukur e jetës së tij.

 

“I strehuar bashkë me familjen në hotelin ku i kemi mundësuar edhe fizioterapinë, djali nga Thumana do ta përjetojë këtë 31 Dhjetor me gëzimin e një dëshire të plotësuar falë bujarisë së Lunedës, Drejtoreshës së Shërbimit Social Shtetëror”, shkruan Kryeministri Rama në Facebook.