Humori i Paulin Selimit

Paulin Selimi (1947-2013)

Humori i Paulin Selimit…

në kujtesen e Ilir Secit

Shkrimtari shkodran, Paulin Selimi, (Pastë Dritë!), lirisht mund të quhet Mark Twain Shqiptar!…

Skeçe si ai: “Kunati i shokut Xhemal”, “Kushërini nga Amerika”, “E drejta e Natës së Parë”, “Fejesa në Amerikë”, “Erdhën ndihmat”, “Edukate Familjare”, etj, pa diskutim ja kanë dhanë vendin e nderit në Panteonin e Humorit Shqiptar!

Njisoj si ka kenë i madh në skeçe, njashtu ka kenë edhe në jetë! Ata që kanë miqësi dhe ndejtë me të, e kujtojne shumë mirë!

…Na tregonte në nji rast nji histori të fortë fill mbas Kongresit të Drejtshkrimit…
-Kur kishin nisë me u vu në jetë mësimet e Kongresit të Drejshkrimit, Paulini kishte kenë student në Fakuktetin Gjuhë-Letërsi në Tiranë… Në nji orë leksioni Profesor Shaban Demiraj, po u shpjegonte studentëve “Dukurinë e Rotacizmit” …Dmth shndërrimin e mbaresave “-an” të gegnishtes në mbaresa “-ër” të Normës së 1972-it!

Paulini paska kenë duke folë me dikë dhe Profesor Demiraj, i tërhjek vëmendjen:
-Ore Shkodrjan! Paulin Selimi, mendjen në leksion! Mos më fol në orë të leksionit!…
-Nuk po flitsha Profesor! – ja kthen Paulini…
-Ore që fole, të pashë vetv! – i thotë Profesori, i cili për ta zënë ngushtë Paulinin, i thotë:
-Meqë nuk po flisnje, pa na thuaj atëhere se për çfarë po diskutohet këtu?!

-Po Profesor! Ju po flisnit për “Dukurinë e Rotacizmit”! – i përgjigjet Paulini…
-Shumë mirë! – vazhdoi Profesor Shaban Demiraj, duke e pyetur:

-Tani ti Paulin ma e ilustro me ndonjë shembull kët Dukurinë e Rotacizmit?!
-Po ja Profesor! – i thotë Paulini – Marrim për shembull emnin tuaj, Shaban! Në bazë të rregullit të ri caktuar në Kongres të Drejtshkrimit, emni juaj “Shaban” tash e tutje duhet me u thirrë “Shabër”!?

***

Në vitin 1995, bahen zgjedhjet e Forumit Rinor të Ballit Kombëtar, Dega Shkodër… dhe kryetar i Forumit zgjidhet nji i ri me emrin Paulin Selimaj… Kur transmetohet kronika në Lajmet e Radio-Shkodrës për me ba pak humor, gazetarët e kronikës thonë emrin e Paulin Selimit… Kryetarit të porsazgjedhun të forumit ballist!…

Në mbramje, kur Paulini bante xhiro në Piacë, njerëzit rrijshin duke i thanë:
-Urime Paulin!-

-Falemnderës! – ua kthente Paulini që e kuptonte se nji rreng po luhej diku, por nuk po e jepte vedin…

Ma në fund njani i afrohet edhe i thotë:
-Paulin, ishe zgjedhë kryetar i Forumit Rinor të Ballit Kombëtar, a?! Po a nuk je pak në moshë ti mor burrë, a?! Se ti je mbi Katërdhetë vjeç m’duket?!”…

-Pse mor çka ka?! Unë 43 vjeç jam, po Forum Rinor i bjen me kenë, se na kryetarin, Abaz Ermenjin 92 vjeç e kena, a jo!?” – I thotë Paulini duke vazhdu shetitjen…

***

Në vitin 1995, Paulinin e kishin ftuar në një spektakël televiziv në TVSH …
Bashkë me Paulinin e ftuar në studio ishte edhe Ilda Teka, Miss Shqipnia…

Gazetari Adi Krasta për me e ngacmu Paulinin e pyet:
-Si të duket vetja para Miss Shqipërisë Zoti Selimi?!

-Si para ambasadës italiane, në pritje me marrë vizë!” – i gjegjet Paulin Selimi…

***

Në vitin 1998, nji shkrimtar nga Shkodra bante nji promovim libri, dhe kishte ftuar edhe Fatos Nanon, që ishte Kryeministër i asaj kohe… Mbas diskutimeve fillon kokteji edhe të ftuemit po pijnë edhe nga nji gotë… Në nji moment Fatos Nano, afrohet dhe pyet Paulinin:
-Ore Paulin! Sa revista dhe gazeta botohen sot në Shkodër?!”…

-Asnji për be… Zotni kryeministër!” – ja kthen Paulini, sepse me taman asnji nuk botohej në atë vit!…

-Mëkat! – i thotë Fatosi, – sepse kam lexuar se në Kohë të Zogut dilnin 18 revista dhe gazeta vetm në Shkodër?!”…

-Po mor zotni, njashtu asht e vërteta, njaq delshin… 18 revista e gazeta kanë dalë në Kohë të Zogut, por ajo ka kenë Koha e Zogut, sot asht Koha e Zogut të Kurvës!”…

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...