Frika nga bashkëshorti e ka detyruar 50-vjeçaren të durojë për 20 vite dhunën psikologjike dhe fizike të ushtruar prej tij.

Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ajo ka rrëfyer se burri i saj ishte shumë xheloz dhe nuk e linte të dilte nga shtëpia. Dhuna vazhdoi edhe gjatë shtazënisë dhe si pasojë dy djem dhe vajza e saj vetëm 4-muajshe ndërruan jetë.

Situata vështirësohet akoma dhe më shumë kur bashkëshorti i sjell në shtëpi edhe të dashurën. Nuk mund të fliste, nuk mund të kundërshtonte sepse kishte frikë prej tij. Për 5 vite detyrohet të jetojë nën të njëjtën shtëpi me burrin dhe të dashurën e tij. Më tej, ajo tregon se bashkëshorti ka tentuar ta djegë me benzinë dhe gjithashtu t’i japë dhe kokrra miu, por ka qenë vjehrri i saj që e ka shpëtuar.

Familja nuk i është gjendur pranë duke i thënë se vetë e zgjodhi, por kishin edhe frikë prej tij, se ishte i dhunshëm. Pas 20 vitesh, ajo merr guximin dhe mposht frikën që të ndahet prej tij.