Ish-deputetja Albana Vokshi, ka reaguar sot kundër Edi Ramës dhe sjelljes së tij me gratë. Në një reagim në Facebook, Vokshi shkruan se Rama është hipokrit kur flet për barazinë gjinor, pasi gratë i përdor për propagandë.

Ish-deputetja në reagimin e saj shton se Rama në daljet e tij në media ka fyer e ka denigruar gratë. “Bëni kujdes nga Edi Rama! Ai i do gratë të veshura shtrenjtë e mirë, për t’i rreshtuar ushtarakisht si dekor për propagandën.

Atë e bezdisin, e nervozojnë gratë me veshje të thjeshta, punëtoret pa fjalë, kryefamiljaret e munduara, të cilat punojnë tërë jetën e tyre për t’ju siguruar fëmijëve një copë bukë”, është kjo thirrja e Vokshit për gratë.

POSTIMI I PLOTË

Edi Rama dëshmoi edhe një herë që është hipokriti numër 1 në fushatën e tij të gënjeshtërt për Barazinë Gjinore, të cilën e propagandonte me këmbët mbi tavolinë, në nisje të ceremonisë për Presidencën e OSBE, zhvilluar në Sllovaki. Këto ditë të zymta e të trishta për të gjithë, ditë që përkojnë me 16 ditët ndërkombëtare të aktivizmit të luftës kundër dhunës ndaj grave, Edi Rama ngado që ka shkuar ka fyer e dhunuar verbalisht, në mënyrë të pashembullt gra e fëmijë. Përgjegjësi dhe shkaktari kryesor i situatës së mjeruar, që rëndon edhe më shumë mbi gratë e nënat, me gjuhë tallëse, diskriminuese, përçmuese, urrejtje e raciste, fyen e dhunon psikologjikisht çdo grua, e cila guxon të kërkojë llogari apo të kërkojë atë çfarë me ligj i takon.

Sot, dua të përsëris thirrjen time për gratë e vajzat: Bëni kujdes nga Edi Rama! Ai i do gratë të veshura shtrenjtë e mirë, për t’i rreshtuar ushtarakisht si dekor për propagandën. Atë e bezdisin, e nervozojnë gratë me veshje të thjeshta, punëtoret pa fjalë, kryefamiljaret e munduara, të cilat punojnë tërë jetën e tyre për t’ju siguruar fëmijëve një copë bukë. Atij i vrasin sytë, gratë e dinjitetshme, të cilat i kujtojnë atij se propaganda ka përkeqësuar qeverisjen dhe rrjedhojë e saj është rritja e varfërisë së skajshme e sot, menaxhimi pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Mos i besoni! Çdo dalje e tij në televizione gjatë shëtitjeve në pasojat e post-tërmetit, është vetëm propagandë për të fshehur abuzimet e tij me pushtetin, që kanë shkatërruar çdo qelizë të institucioneve dhe kanë persekutuar e detyruar profesionistët të heshtin e disa prej tyre të largohen duke lënë Shqipërinë pa ekspertizë në sektorët strategjikë.

Refuzojeni Edi Ramën, sepse qëndrimi i tij në krye të qeverisë, çdo ditë sjell papunësi më të lartë, varfëri më të thellë dhe përkeqësim të të drejtave të njeriut e statusit të grave dhe vajzave në Shqipëri. Aktivizimi kundër dhunës ndaj grave të nisë me refuzimin e Edi Ramës!