Pas heqjes së shpërblimeve të fundvitit për pensionistët dhe shtresat në nevojë dy muaj më parë, qeveria ka vendosur që të mos japë asnjë shpërblim për festat e fundvitit.

Vendimi është nënshkruar nga kryeministri Rama dhe u miratua më 6 dhjetor. Në këtë vendim theksohet se do të ndalohet përdorimi i fondit të veçantë për festat dhe shpërblimet në administratë dhe institucionet shtetërore.

Ajo që mbetet e paqartë dhe nuk është bërë transparente është se në vendimin e marrë ende nuk sqarohet saktësisht se ku do të shkojnë fondet e shpërblimeve të fundvitit, të cilat nuk do të merren kësaj here.

VENDIMI

Nr. 781, datë 6.12.2019 për një ndryshim në vendimin nr.929, datë 17.11.2010, të këshillit të ministrave, “për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit

nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 11, të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: “9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve

publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.”.

Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.