Ajsel është banorja më e re e Manzës, e cila erdhi në jetë 2 ditë pas tërmetit të fortë të mëngjesit të 26 nëntorit.

Ndërsa familja Sula mbeti e pastrehë si pasojë e tërmetit dhe u strehua në çadrën e emergjencës në Manzë, nëna Ardjana solli në jetë Ajselin.

“Ishte një tronditje e madhe. Ishim të shokuar. Kur pushuan lëvizjet dolëm nga shtëpia. Ishte tmerr. Shtëpia ishte e pabanueshme. Jetonim në pallat. Isha në ditët e fundit të shtatzanisë“, – shprehet Ardjana.

Ardjana qëndroi në maternitet bashkë me të voglën Ajsel, deri sa në Manzë dy zëvendësministret, ajo e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi dhe ajo e Drejtësisë, Fjoralba Caka, pjesë e Shtabit të Emergjencave i siguruan Ajselit të vogël një strehëz në njësitë lëvizëse akomoduese, por edhe gjithçka i nevojitej asaj, vëllait më të madh dhe të gjithë familjes, falë kontributit të organizmave humanitare që operojnë në vendin tonë, por jo vetëm.

Zëvendësministrja Çuçi thekson se prioritet në akomodim në njësitë lëvizëse iu është dhënë banorëve që kanë patur më shumë problematikë, si nëna e Ajsel. I kemi siguruar, thotë ajo, gjithçka deri në gjënë e fundit që i nevojitet Ajselit dhe tani po e shoqërojmë në strehëzën e saj provizore, por që i ofron të gjitha kushtet.

“Na janë ofruar të gjitha shoqatat që po operojnë në Shqipëri këto ditë, duke na siguruar çdo lloj produkti që kishin në gjendje për një bebe. Ajsel ka rezerva deri në momentin që ajo do të jetë e akomoduar në shtëpinë e saj të re”, shprehet Çuçi.

Ndërsa zv/ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka së bashku me një grup vullnetarësh i urojnë mirëseardhjen Ajselit në shtëpizën e saj provizore. Sipas saj, vullnetarët që po operojnë që në ditën e parë në Manzë nuk pranuan të largoheshin sot pa ardhur Ajsel. Është bukur të presësh një bebe, vijon Caka, pavarësisht në cilën situatë.

“Momente si ky, na bëjnë më të fortë. Është bukur në fakt kur sheh që njerëzit ja dalin, pavarësisht sfidave dhe se jeta triumfon mbi çdo fatkeqësi. Ky është një emocion i veçantë. Është bukur të shikosh forcën e këtyre njerëzve që nuk dorëzohen dhe që luftojnë për më të mirën për veten e familjarët. Kjo na jep edhe motivim që ne të punojmë më fort”, – shprehet Caka

Ne këtu, vijon Caka, kemi vullnetar nga Deçani, Shkupi, Zvicra etj, të rinj që kanë sjellë, jo vetëm ndihma por mbi të gjitha, të gjithë forcën e tyre për t’u shërbyer banorëve të prekur nga tërmeti. Janë këta të rinj të shumtë, vullnetarë, ata që bëjnë atë gjënë e padukshme, duke marrë çdo ditë shqetësimet e banorëve të prekur dhe duke i përcjellë në shtabin e Emergjencave.

Mbi 12 vullnetar të rinj po qëndrojnë në Manzë duke dhënë ndihmën e tyre me vendosjen e tendave apo shpërndarjen e ndihmave. “Unë jam Eva nga Tirana, është emocion të presim një fëmije të sapolindur. Jemi përpjekur t’i krijojmë asaj kushtet e nevojshme. I urojmë shëndet e lumturi”, – thotë njëra nga vullnetarët.

Ndërsa Dardani nga Shkupi shpreson se shumë shpejt falë angazhimit të të gjitha strukturave, do të rregullohen të gjitha kushtet për banorët e prekur nga tërmeti. Ai nuk harron as ti urojë jetë të gjatë bebes Ajsel, banores së re e familjes së saj që do të vazhdojë t’i gjendet pranë këto ditë.

“ Vijnë ca momente si ky, kur morëm në krahë beben Ajsel, por edhe gjithë bebet që kemi marrë në duar këto ditë, me prindër që kanë pësuar tronditje të fortë, për shkak të tërmetit dhe dëmeve që la pas, që na japin forcë që ne të vazhdojmë të menaxhojmë sa më mirë situatën që të gjithë këto bebe të kenë shtëpizat e tyre. Unë vet kam 2 djem, por kjo situatë më bëri me 6 vajza të vogla, në moshën e Ajselit.

Emocioni që na dhanë këto foshnje na bëri të kuptojmë se nuk ka situatë që nuk përballohet nëse në duart e tua merr Ajselin dhe shoqet e saj dhe t’i shton më tepër forcat për të bërë më shumë për to. Pastaj vijnë bekimet e prindërve, janë forcë më vete…. Dhe jemi të bekuar që mundëm t’u ofrojmë disa gjëra”,-shprehet zv/ministrja Çuçi, të cilën ne e kemi takuar kudo, ku ka banorë të prekur nga tërmet këto ditë.