Përtej natyrës mbresëlënëse të fshatit Shesh, fshihen jetë njerëzish që nuk iu ka mbetur më asgjë. Udhëtimi prej afro dy orësh përmes kodrave të fshatit nga ku ka marrë emrin edhe rrushi dhe vera që del prej tij, u ndalua në një familje që fati nuk i ka buzëqeshur kurrë.

 

E si të mos mjaftonte jeta e vështirë që kanë kaluar, dy lëkundjet, ajo e 21 shtatorit e më pas e 26 nëntorit, i la edhe pa strehë. Fiqeretja, një grua rreth të 50-tave, tregon për Klan Plus se si ajo nuk ka parë një ditë të bardhë në jetën e saj.

 

“Mu dogjën dy fëmijët aty. Shkova prapë tek ajo dhoma atje. Keq, shumë keq! Por më ka fal Zoti këtë çunin. Nuk po e dua jetën time para atij”.

 

6 vite më parë, një tjetër fatkeqësi e pllakosi familjen Capi, bashkëshorti, Lutfiu, megjithëse i ri në moshë, ndërroi jetë, duke e lënë atë vetëm me djalin e saj, Viktorin, 26 vjeç. Një ndihmë sociale prej 40 mijë lekësh të vjetra dhe puna në bujqësi e Viktorit, janë e vetmja e ardhur për ta.

 

“Ja kjo është lopa ime. Ma ka dhënë motra. Merre më tha dhe ushqehu edhe ti si të tjerët, se me 40 mijë lekë (të vjetra), s’mund të bësh asgjë”, thotë Zonja Fiqirete.

 

“Edhe tek dyqani me borxhe, s’ke çfarë bën. Me raste punoj, por nuk ka punë“, tregon Viktori.

 

Këto net të ftohta i kanë kaluar në vështirësi të madhe. Ndërsa këtë çadër të vendosur në oborr kanë arritur ta marrin vetëm 3 ditë më parë.

 

“Unë bëra një kërkesë aty, ka shkuar apo jo në bashki nuk e di, por nuk më ka ardhur njeri. Edhe tek dhoma tjetër kam frikë me shkuar, edhe ja, këtu kam fjetur”, shprehet zonja Fiqirete.

 

Një endje rreth e qark shtëpisë është pasqyra e qartë e gjithë jetës së Fiqeretes. Ajo nuk ka asgjë dhe mes lotësh bën apel për ndihmë.

 

“Nuk dua jetë më, vetëm po mendoj për atë fëmijë, se është i ri, s’ka mbështetje. Nuk pyet njeri a ke apo nuk ke bukë për të ngrënë. Gjendja e keqe shumë.

 

Të dy fëmijët më ikën, se t’i kisha ata sot nuk do isha kështu si jam. Edhe këmbën ka 5 vjet që e kam thyer dhe mezi e duroj. Por s’ke çfarë të bësh, duhet bërë puna, duhet të hash. Kjo është jeta në fshat. Shumë keq! Zoti ishalla na ndihmoftë!”

 

“Dua që të më bëhet shtëpia. Nuk dua asgjë më shumë. Ju e patë edhe vetë që këtu nuk mund të rrihet. Thjesht shteti të vejë dorë”, shton Viktori.