Bisedoi: Dashnor Kaloçi

E mbaj mend shumë mirë se u bë zhurmë e madhe që ato dy pallatet e Thumanës të mbaronin në afat dhe për vitin e ri 1989 duhet të dorzoheshin nga ndërrmarja jonë, pasi nga Komiteti i Partisë së rrethit Krujë, ishte dhënë urdhëri i prerë “për vitin e ri, banesat duhet të ishin të mbaruara dhe njerëzit të futeshin brenda në shtëpitë e reja”. Dhe kështu ndodhi, ato u bënë si u bënë dhe urdhëri I partise u zbatua.

 

Por cilësia e tyre ishte skandaloze dhe i dha “frytet” e hidhura tani me këtë tërmet që ra më 26 nëntor”. Njeriu që flet dhe dëshmon për memorie.al është Mark Aliaj, ish-i burgosur dhe i përndjekur politik, i cili tregon lidhur me ndërtimin e dy pallatëve të Thumanës që u shëmbën para disa ditëve nga tërmeti i 26 nëntorit, duke zënë nën rrënoja dhjetra banorë të tyre dhe mbi 22 viktima

 

Mark Alija pas viteve ’90-të ka shërbyer edhe si drejtor ndërmarrje në qytetin e Laçit, shef administrate në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe si nënkryetar i Bashkisë së Mamurrasit për disa vjet.

Kjo qe do lexoni me poshte eshte një histori të shkurtër të jetës së tij dhe bashkëvuajtësve të burgosur politik, në punën e madhe që ata bënë për ndërtimin e shumë veprave bonifikuese, si këneta e Thumënës ku ai vuajti dënimin pas tentativës për arratisje, por dhe në ndërtimin e shumë veprave industriale dhe pallateve të banimit, për të cilët ai shprehet se termeti i 26 nëntorit nuk u shkaktoi asnjë problem.

 

Zoti Mark, cila është lidhja juaj me Thumanën dhe kur e keni parë për herë të parë atë qytezë?

Unë në Thumanë kam shkuar që i vogël me prindërit e mij, pasi ne kemi banuar në periferi të Mamurrasit, në skajin jugor të saj, ku vazhdojmë të banojmë dhe aktualisht dhe Thumanën e kishim shumë afër. Pra nisur nga ky fakt Thumanën dhe banorët e saj i kishim dhe e njihnim mirë gati si ata të Mamurrasit, por me atë vënd mua më lidhin edhe shumë gjëra të tjera, pasi aty kam filluar punë për herë të parë në vitin 1958 si ndihmës me disa inxhinierë hungarezë që punonin për projektimin e kanaleve dhe veprave të tjera që duheshin për bonifikimin e tharjen e kënetës së Thumanës. Po përveç kësaj, aty në tharjen e asaj kënete kam punuar edhe si i dënuar politik pasi u arrestova.

 

Kur dhe përse u arrestuat?

Unë jam arrestuar për tentativë arratisje së bashku me dy shokë të mij, më 24 prill të vitit 1958, pasi na kapën diku afër Shkodrës dhe na sollën në degën e Punëve të Brendëshme të Krujës prej nga varej asokohe administrativisht Mamurrasi ku banonim unë me dy shokët e mij.

Perse vendosët që të arratiseshit dhe sa vjet ju dënuan?

Siç ju thashë pak më lart, unë që në moshën 17 vjeçare punoja si ndihmës me disa inxhinier hungarez që punonin për projektimin e bonifikimit dhe tharjes së kënetës së Thumanës, ku ju mbaja latat, (instrumenet) dhe çantat, ju sillja ujë, bukën e çdo gjë tjetër që atyre ju duhej. Në bisedat e ndryshme që ata bënin, flisnin hapur edhe me mua kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi ata ishin antikomunistë dhe lavdëronin vëndet perendimore dhe jetën që bëhej atje.

Si të thuash kjo ishte dhe shtysa e parë që pata unë për t’u arratisur nga Shqipëria, gjë të cilën siç ju thashë nuk e realizuam dot, pasi na kapën dhe pas disa kohë hetuesie në Degën e Brendëshme të Krujës, na nxorrën në gjyq dhe na dënuan me gjashtë vjet burg me akuzën “për tradhëti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes për t’u arratisur jashtë shtetit” dhe me konfiskim pasurije e heqjen e të drejtës elektorale për pesë vjet. Këtë dënim na e la në fuqi edhe kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë në Tiranë që u mblodh me datën 11 qershor të atij viti dhe pas marrjes së dënimit na dërguan në kampin e Thumanës ku kishte filluar puna për tharjen e kënetës. Pra, ndërsa si punëtor i lirë kisha punuar me specialistët dhe inxhinierët hungarezë që projektuan veprat ujore për bonifikimin e tharjen e asaj kënete, tashti si i burgosur më dërguan ta zbatoja atë projekt.

 

Si e kujton kampin e Thumanës dhe kur u hap për herë të parë ai kamp të burgosurisht?

Kampi-burg i Thumanës quhej “Reparti ushtarak 309” dhe ai kamp u vendos aty diku nga viti 1958, pasi u zhvendos nga Tërbufi ku të dënuarit politik kishin punuar për tharjen e kënetës me të njëtin emër në fushën e Myzeqesë. Pra i gjithë kampi, me të dënuar dhe policë e ushtarë që kishte qenë në Tërbuf, u zhvendos aty në Thumanë, pasi pak a shumë do të bëhej e njëjta punë që ishte bërë në Tërbuf. Barakat apo siç u thoshim ne, kapanonet e kampit ku do sistemoheshin të dënuarit politikë, u ngritën diku në vëndin e quajtur “Kroi i sertë”, që ndodhet fare afër lumit të Drojës në fshatin Bushnesh dhe ato u ndërtuan me dërrasa të mbuluara me katrama. Aty ishim rreth 750 të burgosur politik, të ndarë në brigade pune, ndërsa ushtarë dhe policë që na ruanin, ishin rreth 150 vetë që bënin shërbim brenda dhe jashtë rrethimit me tre palë tela me gjëmba që kishte kampi rreth e rreth.

 

Kush ishte komandant i atij kampi dhe në çfarë kushtesh jetonit e punonit aty?

Komandant i kampit ishte major Vangjel Rrëmbeci (me origjinë nga Korça) i cili para se të vinte aty kishte qenë komandant i Burgut të Burrelit. Kushtet në atë kamp ishin të mjerushme, duke filluar nga higjena që nuk dua ta kujtoj se është turp ta shkruash. Po kështu ushqimi që pothuaj nuk vihej fare në gojë, pasi përveç 700 gram bukë misri që na jepnin si racion ditor, ajo që quhej gjellë, bëhej me presh e lakra dhe ajo gatuhej me një lloj margarine që ua kishin kapur gjermanëve në depot e tyre në vitin 1944 para se ata të largoheshin nga Shqipëria. Pra ai ushqim që gatuhej aty, pothuaj nuk vihej fare në gojë dhe po të mos ishin familjet tona që na sillnin ushqim, ne do të kishim vdekur urije apo do të ishim kthyer në kufoma të gjalla. Por desha të shtoj se edhe ai ushqim, u jepej të burgosurve vetëm në rast se realizonin normën që ishte 17 metër kub dhe në ditë, pra duhej të bëje punën që të merrej ushqimi.

 

Cila ishte puna që kryenit aty?

Puna që bënim ishte një torturë më vete, pasi një i burgosur duhet të hapte një kanal duke zhvendosur 17 metër kub dhe, apo më saktë baltë e lluce se ashtu ishte i gjithë vëndi aty kënetë dhe moçalishte. Dhe në rast se nuk e realizoje normën, nuk të jepej ushqimi dhe të fusnin në birucë si dënim për mos realizim norme. Puna ishte një tmerr i vërtetë si në dimër që ishte shumë i ashpër ku kishte ngrica dhe shpesh na duhej të thyenim akullin që të hapnim kanalin, po ashtu dhe vera ishte e nxehtë e na piqte dielli. Mjetet e vetme të punës ishin lopata, bela, kazma dhe karroca e dorës.

A kishte të burgosur që nuk e realizonin normën apo të tjerë të sëmurë që nuk mund të punonin dhe si veprohej me ta?

Kishte shumë që nuk e realizonin normën nga pamundësia fizike dhe ata u nënshtroheshin rregullave të komandës duke u futur në biruca me dënime të ndryshme që varionin deri në një muaj por dhe më shumë për përsëritësit. Edhe të sëmurë kishte shumë dhe ata i linin në atë gjëndje në infermeri dhe i dërgonin në spitalin e Tiranës, kur e shikonin se ata ishin në gradë të fundit. Pra ata i dërgonin në spital në Tiranë kur ishin afër vdekjes, në mënyrë që të mos vdisnin aty në kamp dhe të krijohej panik.

 

A kishte të dënuar që humbën jetën aty apo në spital të burgut?

Po ka pasur, plot ka pasur fatkeqësisht dhe emrat e tyre ne që shpëtuam gjallë nga ai ferr i kemi bërë publike në shtyp dhe në libra që kemi shkruar pas viteve ’90-të. I kemi të gjithë emrat e tyre dhe këto ndodhen edhe në dokumentet zyrtare për marrjen e dëmshpërblimit etj.

 

A kujton ndonjë nga bashkëvuajtësit tuaj në atë kamp?

Patjetër, kujtoj shumë edhe kanë kaluar më shumë se 60 vjet që nga ajo kohe. Kujtoj Rexh Metën, një funksionar të lartë të kohës së Zogut që kishte punuar në Ministrinë e Financave, i cili punonte si skarpatist, pra ai bënte nivelimin e skarpatës së kanalit që hapnin të burgosurit. Kujtoj Miço Pilon nga Saranda, i cili kishte studjuar në “Zosiema” të Janinës dhe ishte diplomuar në Athinë ku dhe kishte punuar si jurist. Ai ishte dënuar me 25 vjet burg politik. Tjetër njeri që kujtoj, ishte Ceno Vermishi, ish-major i regjimit komunist që ishte i burgosur politik si ne dhe vuante dënimin aty, por ndryshe nga ne, Ceno dhe shumë të tjerë si ai, pra ish-oficerë apo të tjerë që kishin qenë me detyra dhe funksione të ndryshme në regjimin komunist, aty punonin si brigadier apo në vënde të zgjedhura që quheshin vënde pune të privilegjuara. Pra dhe aty në burg kishte diferencim dhe atyre si Cenua, komanda u thoshte hapur: “Ju jeni tanët”.

 

Është thënë se ndërtimet e para të banesave në qytezën e Thumanës u ndërtuan nga të burgosurit politik të atij kampi…?

Po është më se e vërtetë, shtëpitë e para për të ardhurit në qytezën e Thumanës u ndërtuan në vitin 1959 nga të burgosurit politik të atij kampi. Në atë kohë Ministria e Brendëshme lidhte kontrata me ndërrmarje që bënin ndërtime dhe aty dërgoheshin të burgosurit për të shfrytëzuar krahun e punës dhe të ardhurat nga puna e tyre i kalonin Ministrisë së Brendëshme. (Kështu na thuhej ne në atë kohë, por pak rëndësi ka ajo gjë se ku dhe si shkonin të ardhurat, pasi e rëndësishme është puna që bënin të burgosurit e ndërgjegjies). Kështu u ndërtuan dhe banesat e para në Thumanë nga ne të burgosurit politikë të cilat u bënë një katëshe prej pupuliti dhe të mbuluara me eternit. Aty u strehuan dhe familjet e para të të ardhurve që ishin kryesisht nga fshatrat e thella të Korçës dhe të Skraparit, ku shumë prej tyre gjenden akoma dhe sot në ato shtëpia.

Po përveç atyre shtëpive, ku punuan të burgosurit e kampit pasi mbaroi tharja dhe bonifikimi i kënetës së Thumanës?

Pasi mbaroi bonifikimi i kënetës së Thumanës, kampi i të burgosurve u zhvendos në fshatin Gjorëm të Laçit, apo më saktë në fshatin Sanxhak që ndodhet vetëm 3 km. larg qytetit të Laçit që në atë kohë ishte vetëm një fshat i vogël me disa shtëpi, ku ne të burgosurit punuam për ndërtimin e banesave të kampit të ri, ku do banonin oficerët. Po kështu në atë kohë, të burgosurit politik të Kampit të Gjormit, ndërtuan dhe 12 pallatet e para në qytetit të Laçit ku u sistemuan edhe familjet e para që populluan në atë kohë dhe më pas atë qytezë ku vetëm 3 km. më larg, në anën very-perendimore të tij, një kamp tjetër i të burgosurve, (që ishte zhvendosur nga kampi i Rubikut), punoj për disa vjet me rradhë për ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit, e cila u inagurua me bujë të madhe nga udhëheqja e lartë e PPSH-së në vitin 1967, ku morrën pjesë pesë a gjashtë anëtarë të Byrosë Politike. Ndërsa të burgosurit e Kampit të Gjormit, pas ndërtimit të atyre 12 pallateve të qytetit të Laçit, punuan shumë edhe për disa vjet për ndërtimin e hapjen e një kanali vaditës që vinte nga Miloti dhe vazhdonte në Gjorm e Mamurras dhe uji që sillte ai, përdorej për vaditjen e të gjithë fushës bujësore në anën perendimore të tij.

 

Kur u liruat nga burgu dhe ku u sistemuat me punë?

Unë u lirova nga burgu më 2 qershor të vitit 1963 dhe pas disa ditësh shkova në qytezën e Laçit ku ishte themeluar prej disa kohësh Ndërrmarrja e Ndërtimeve Industriale, e cila përveç disa veprave industriale siç ishte Uzina e Superfosfatit, ku siç thashë ndërtohej nga të burgosurit politikë, bënte dhe ndërtim banesash dhe pallatesh për qytetin e Laçit që sa vinte dhe zgjerohej. Aty u sistemova menjeherë në punë në një brigadë që merrej me lyerjen e banaseva, pra fillova punë si bojaxhi.

A patët problem për sistemimin në punë, kur dihej se në atë kohë ata që dilnin nga burgu politik fillimisht e kishin të vështirë dhe caktoheshin në punë mjaft të rrënda…?

Po është mëse e vërtetë se të burgosurit politikë e kishin të vështirë sistemimin, por unë pata fat se në atë kohë aty ishte drejtor, Xhavit Fejzo, një burrë babaxhan me origjinë nga fshati Pirg i Korçës, i cili as nuk donte t’ja dinte për atë gjë( pra që unë kisha qenë në burg politik), dhe dha urdhër që të filloja punë atë ditë që u paraqita aty. Gjej rastin të shpreh falenderimet e mija për atë njeri i cili ka vite që nuk jeton më, pasi po mos të më pranonte në punë, nuk e di se si do të kishte marrë rrjedh jeta ime. Mund të kisha tentuar përsëri arratisjen, apo mund të kisha përfunduar përsëri në burg dhe prandaj i jam shumë mirënjohës atij njeriu.

 

Sa vite punuat në atë ndërrmarrje?

Aty kam punuar shumë vjet deri aty nga viti 1985 kur ajo u nda në dy ndërmarrje, pra Ndërmarrja e Ndërtimeve Industriale e Laçit që merrej me ndërtim veprash industriale dhe Ndërmarrja e Ndërtim Banesave Komunale që varej nga Kruja. Në atë kohë, pra diku aty nga viti 1985-’86 që u ndanë në dy ndërmarrjet, unë mbeta me Ndërtim Banesa Komunale e Krujës (që i kishte zyrat dhe në Laç) dhe deri në shëmbjen e regjimit komunist aty kam punuar duke u marrë me lyerjen e banesave dhe pallateve kudo ku ato ishin nga Laçi, Mamurrasi, Thumana etj.

Po te dy pallatet në Thumanë që u shëmbën nga tërmeti i 26 nëntorit a keni punuar ju?

Kam punuar dhe i mbaj mënd shumë mirë kur janë ndërtuar, diku aty nga viti 1987-1988 apo dhe kanë përfunaduar më mos gaboj pak më vonë, nga ’89-ta.

 

Meqë jemi tek kjo pikë që paraqet mjaft interes për lexuesin, a mund të na thoni diçka më shumë si i kujtoni ndërtimin e tyre. Pra a mund të na jepni disa detaje më të hollësishme rreth ndërtimit të tyre?

Patjetër, me aq sa di dhe sa mbaj mënd do përpiqem t’ua shpjegoj. Ndërtimi i tyre që siç thashë pak më lart filloi diku aty nga viti 1987, në atë periudhë kohe kur shteti shqiptar kishte shkuar në pikën zero. Pra në atë kohë kishte shumë mungesa në të gjitha fushat e ekonomisë shqiptare, gjë e cila vihej re dhe në ndërtimet ku punonim ne, ku mungonte hekuri, çimentoja, dërrasat, tullat, bojrat e deri tek veglat e punës.

Të gjitha këto mungonin ose ishin të një cilësie shumë të dobët. Kujtoj se gëlqerja me të cilën punonim ne bojaxhinjtë dhe bëhej edhe llaçi, ishte e skaduar pasi merrej nga mbeturinat e furrave të Krujës. Kjo gjë ndodhte pasi ajo e mira shkonte për banesa që ishin në qytet dhe Thumanës ku ishim ne i mbetej ajo gëlqere që ishte jashtë kushteve teknike për t’u përdorur dhe llaçi që bëhej me të kuptohej se nuk mund të ngjiste në bërjen e mureve apo suvave.

 

Po lëndët dhe materjalet e tjera të ndërtimit ashtu ishin, pra të asaj cilësie…?

Unë morra shëmbull vetëm gëlqeren pasi e njoh shumë mirë se kam qenë specialist si bojazhi me kategori të shtatë dhe në atë punë kam punuar për më shumë se tre dekada me rradhë në qindra objekte dhe pallate banimi. Por edhe të gjitha materialet e tjera të ndërtimit, si çimentoja, hekuri etj., ishin të një cilësie mjaft të dobët që normalisht nuk duhej të përdorej në ndërtim pallatesh. Lëndët e ndërtimit me cilësi të lartë shkonin për ndërtimin e bunkerë, qëndra zjarri, etj., vepra ushtarake dhe çfarë mbetej, përdorej për objekte civile.

Mbetemi tek dy pallatet e Thumanës dhe cilësia e dobët e materialeve të ndërtimit që thoni se u përdor atje…?!

Unë fola për cilësinë e dobët të materjaleve të ndërtimit, por nuk është vetëm kjo. Pra, cilësisë së dobët të materialeve të ndërtimit që u përdor për ndërtimin e atyre dy pallateve në Thumanë, duhet t’i shtojmë dhe sasinë e pakët që përdorej…

 

Konkretisht…?

Pra nuk futej i gjithë materjali ndërtimor që duhej si hekur, çimento etj., pasi në atë kohë jo vetëm që mungonin ato, por dhe ato që vinin shpërdoroheshin dhe bëheshin objekt vjedhjesh nga njerëz hallexhinj që u duheshin ato për shtëpitë e tyre. Kështu p.sh. dhe hekuri që ishte baza e ndërtimit të kollonave apo trarëve nuk futej i gjithi dhe ai që futej ishte me dimensione shumë herë më të vogla seç e kishte projekti. Pra, po marr një shëmbull: ku duhej hekur 18, mm. për kollona apo tratë, futej hekur 12 mm. apo dhe me dimension më të vogël.

Po brez antisizmik a kishin ato dy pallate në Thumanë?

Në dy pallatet e Thumanës nuk kishte brez antisizmik. Apsolutisht jo, aty mezi gjendeshin disa hekura, pasi kishte shpërdorime dhe vjedhje. Kjo gjë, pra vjedhja dhe shpërdorimi i materjaleve të ndërtimit në atë kohë ishte një fenomen që nuk mund të parandalohej, apo frenohej, pasi objektet e ndryshme, si banesa dhe pallate ishin të shpërndara kudo dhe një roje nate nuk kish ç’a t’u bënte. Ky ishte shteti i asaj kohe, i cili i kishte katandisur shtetasit e tij në atë gjëndje që ata detyroheshin të përvetësonin edhe lëndët e ndërtimit për të rregulluar apo meremetuar sadopak shtëpitë dhe oborret e tyre.

 

Po kur mungonin materjalet e ndërtimit apo ato ishin jashtë standarteve që kërkohej apo lejohej për ndërtimin e pallateve, ata që i zbatonin, inxhinjerë, teknikë, brigadier etj., pse lejonin që të bëhej pallati me to?!

Po kërkohej plani, drejtoria e ndërrmarjes kërkonte realizmin e planit se asaj ia kërkonte Komiteti Ekzekutiv, i cili jepte llogari para Komitetit të Partisë dhe kështu me rradhë deri në majën e shtetit. Çdo hallkë e shtetit kërkonte ta hiqte nga vetja përgjegjësinë dhe ajo hiqej vetëm duke realizuar planin në afatin e caktuar, ndryshe kishte konsekuenca. Pra, plani ishte si “Shpata e Demokleut” që u rrinte mbi kokë drejtuesëve të ndërmarrjeve asokohe dhe gjithë zinxhirit të hallkave të shtetit deri në majën e tij.

Nuk ka pasur asnjë rast, kur dikush të ketë ngritur zërin për mungesë materjalesh ndërtimi?

Më kujtohet një rast kur drejtori i Ndërrmarjes së Ndërtim Banesaave të Krujës, Sofokli Gjipali, një njeri i shkëlqyer erdhi për inspektim diku në një objekt që po ndërtohej dhe gjatë mbledhjes që u bë, na tha se për disa kohë do kishim mungesa materjalesh pasi ashtu ishte gjendja dhe sapo të vinin ato, duhet të mobilizoheshim për realizimin e planit dhe mbarimin në afat të objektit. Në këtë kohë u ngrit një specialist me origjinë nga Golloborda, Isuf Bala quhej dhe i tha: “Shoku drejtor, kur nuk ka materjale për punë, psërse shteti nuk na jep pasaporta që ne të ikim jashtë dhe të punojmë ku të ketë punë, se pa punë nuk jetohet”. Kjo që tha Isufi na ra si bombë të gjithëve dhe drejtori nuk iu përgjigj, por as problem nuk e bëri dhe kjo gjë u mbyll me kaq. Ajo fjalë të çonte në burg automatikisht, por qëlloi Sofokliu dhe Isufi nuk pati ansjë problem, pasi asnjë nga të tjerët nuk u ndie më për atë punë.

 

Mbetemi tek dy pallatet në Thumanës, edhe pse kishte gjithë ato mungesa që cituat më lart, a ju kërkohej mbarimi i tyre në afat?

Patjetër që na kërkohej. E mbaj mënd shumë mirë se u bë zhurmë e madhe që ato të mbaronin në afat dhe për vitin e ri 1989, në mos gaboj, ata duhet të ishin të mbaruara. Nga Komiteti i Partisë së rrethit, ishte dhënë urdhëri i prerë se “për vitin e ri, banesat duhet të ishin të mabruara dhe njerzit të futeshin brenda në shtëpitë e reja”. Dhe kështu ndodhi, ato u bënë si u bënë dhe u mbaruan për vitin e ri. Por cilësia e tyre ishte skandaloze dhe i dha “frytet” e hidhura tani me këtë tërmet që ra më 26 nëntor.

Pra ju mendoni se shkaku kryesor i shëmbjes së atyre dy pallateve në Thumanë, së pari është cilësia e dobët e materjaleve të ndërtimit që janë përdorur aty si dhe mos vënia e tyre e plotë sipas projektit, por me mungesa të mëdha?

Unë nuk jam as inxhiner as teknik specialist ndërtimesh, por me njohuritë që kam unë për aq vjet sa kam punuar në ndërtime, mendimi im, është se vetëm cilësia e dobët dhe mungesa e materjaleve të ndërtimit që u përdorën në ato dy pallate në Thumanë, çoi në shëmbjen e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit që solli dhe gjithë atë katastrofë. Si mund t’i rezistoj një tërmeti një pallat apo banesë që ndërtohet pa brez antisizmik apo me materjale ndërtimi të një cilësie shumë të dobët apo me mungesa?!

 

Me që jemi në këtë pikë, po për disa pallate të Laçit që u dëmtuan tani me tërmetin e 26 nëntorit dhe që thuhet se do shemben, ç’mund të na thoni?

Te pallatet e Laçit unë nuk kam punuar, por di që ato janë ndërtuar në një vënd të papërshtatëshëm për ndërtim pallatesh, pasi aty ka qenë moçal nga ujrat që vinin nga sipër rrugës nacionale nga përroi që kishte krijuar një llucë të madhe. E dinë të gjithë laçianët të brezit tim por dhe më të rinjtë, pasi ato pallate janë ndërtuar vonë, diku aty nga viti 1985 dhe në atë vënd ku u bënë themelet e tyre, ka pasur moçal, gropa gëlqëreje, dhera të hedhur. Kjo gjë mendoj se është dhe shkaku kryesor që tërmeti i 26 nëntorit i prishi më shumë ato pallate dhe i bëri të pabanueshme.

Këtë gjë e them me bindje të plotë, pasi shtrohet pyetja: pse u prishën ato pallate të ndërtuara në vitin 1985 dhe nuk u prishën ato 12 pallate që ndërtuan të burgosurit politik që në fillimin e viteve ’60-të në Laç?! Ato nuk kanë pësuar asgjë, pasi përveçse në atë kohë lëndët e ndërtimit nuk mungonin, por të burgosurit politikë që punonin aty kishin ndërgjegjie dhe kur ishte nxehtë në verë, nuk i fusnin tulat në mur pa i lagur ato. Po kështu them edhe për banesat një katëshe prej pupuliti që kemi ndërtuar ne të burgosurit politikë në Thumanë, ato i kanë rezistuar kohës dhe me këtë tërmet nuk pësuan gjë. Të njëjtën gjë mund të them edhe për ndërtime të tjera që kanë bërë të burgosurit, edhe në Uzinën e Superfosfatit, ndërtimet e saj ishin në perfeksion dhe të një cilësie të lartë dhe këtu pa asnjë dyshim kanë një rol kryesor të burgosurit politikë që punuan aty.

 

A doni të shtoni diçka tjetër?

Desha të them se qyteti i Laçit ku unë kam pasur rastin dhe fatin për të punuar për gati katër dekada me rradhë, ka qenë një qytet internimi, por i pashpallur zyrtarisht siç ishin disa vënde të tjera në Shqipëri. Kjo gjë kryesisht për disa kuadro që u sollën aty, si p.sh.: Dragush Xhomo, Pirro Kono, Rrapo Dervishi, Koço Katundi, Agim Mero, Shkëlqim Bumçi, Josif Pogaçe, Armando dhe Donika Sherko, etj., që s’i kujtoj për momentin. Por edhe pse një pjesë e tyre vinin nga nomeklatura e lartë dhe i kishin sjellë aty për dënim, ne, shtresën e të përndjekurve politikë, na kanë trajtuar shumë mirë dhe për këtë gjej rast t’i falenderoj edhe njehere nëpërmjet kësaj interviste.

/memorie.al/