E ftuar dje në emisionin e pasdites ‘Rudina’, pedagogia Iris Luarasi shprehu keqardhjen e madhe për viktimat dhe për të gjithë ata qytetarët të cilët kanë humbur gjithçka për të cilën kishin punuar gjithë jetë. Mirëpo krahas kësaj, pa përmendur emra, Luarasi tha se nuk është koha që një ministre të dalë të qajë në konferenca apo deklarata për shtyp, pasi kjo nuk i ndihmon njerëzit, sepse ata kanë nevojë për siguri.

 

Kujtojmë që ministrja Olta Xhaçka nuk i përmbajti dot lotët gjatë konferencës ku lexoi emrat e personave që mbetën të vdekur nën rrënoja.

 

“Një pjesë e tyre kanë lënë çdo gjë aty, kanë lenë kursimet e jetës. Kjo është një nga arsyet që unë them, që njerëzit tani më tepër kanë nevojë për dashuri, të ndihen të përkrahur dhe unë nuk mendoj se ju bën mirë që të dali një ministre dhe të qajë. Nuk iu bën mirë njerëzve kjo, përkundrazi unë mendoj që njerëzve ju bën mirë një fjalë e ngrohtë dhe një njeri që është i fortë që të tregon se shteti ekziston, edhe këtu ne jemi të fortë për të të mbështetur. Kështu që do isha shumë larg këtyre patetizmave që iu ka kaluar koha, edhe do doja që të shikoja vërtet njerëz që mbështesin me të gjitha forcat njerëzit në terren. Nuk ka nevojë të qash, as në një studio televizive dhe as në një konferencë për shtyp, se kjo nuk i ndihmon njerëzit edhe nuk ua bën më të lehtë dhimbjen. Kanë nevojë për siguri”, u shpreh Luarasi.

 

Iris Luarasi falenderoi të gjithë shqiptarët që kanë ndihmuar me ndihma në këto momente të vështira, por veçanërisht ata që ishin në terren, të cilët i quajti “heronjtë e ditëve tona”.