Tërmeti i prillit të 1979-ës që goditi Shkodrën, deri më 26 nëntor të këtij viti ishte një ndër më të fortët që kishte goditur Shqipërinë, duke lënë pas mjaft viktima dhe dëme të mëdha materiale.

 

Dëshmitarë të tërmetit të asaj kohe janë të shumtë. Një prej tyre është edhe Prel Doshi, në atë kohë punonjës në sektorin e shëndetësisë. Ai kujton angazhimin masiv që u bë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti 7.2 ballë sipas shkallës Rihter, por me intensitet 9 ballë Merkali, ndërsa tregon edhe si u rrafshuan fshatra të tërë dhe si u arrit të riparoheshin të gjitha objektet me punë vullnetare në një kohë mjaft të shkurtër, vetëm për katër muaj.

“Mbaj mend tërmetin që ka rënë në Shkodër në ’79. Ka qenë ditë e diel. Mbaj mend që të nesërmen shkumë aty. Kam qenë punonjës si gjeometër për mjekësinë, bëmë një mbledhje me drejtorin, Fadil Mustafa dhe pamë gjendjen e të gjithë fshatrave të Shkodrës. Kishte bërë dëme jashtëzakonisht të mëdha. Kjo gjendje u rregullua se u ngrit populli dhe fshatrat u bënë të reja. Ishte tragjedi e rëndë, por u ndërtua në një kohë rekord. Bushtam, Oblik, Velipojë, Dajc të gjithë. Ka qenë tragjedi shumë e madhe, edhe njerëz patën vdek dhe bëri dëme të mëdha. Shëndetësia ka qenë e organizuar. Dolëm menjëherë. U çuan të gjithë. Për tre katër muaj i bëmë më të mira se sa ishin. Atëherë ka patur godina shumë të vjetra. Për fat të mirë ra në mal”, tha ai.

I pyetur për reagimin e shtetit të asaj kohe, Doshi thotë se ka qenë mjaft i shpejtë dhe efikas.

 

“Reagimi ka qenë më i mirë atëherë, ka pasur mangësi e ngadalësi. Kanë pasur mundësi më shpëtuar ata nën rrënoja. Qeveria duhej të ishte më gati. Nuk përjashtohet se kanë kontribuar, por atëherë kanë punuar më shumë se punoj më shumë populli se qeveria”, shtoi më pas i moshuari.

Tërmeti i 40 viteve më parë, nga të dhënat e asaj kohe, ka qenë fatal për 40 banorë të disa zonave, të qendrës së veriut të Shqipërisë, Shkodrës.

/report tv/