Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur nga Shkozeti thirrjes së kryeministrit Edi Rama, i cili e ftoi sot që të ulen dhe të bëhen bashkë për të përballuar situatën e rëndë, në të cilën po kalon Shqipëria pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Shef i opozitës tha se PD është pranë njerëzve dhe po bën maksimalisht përpjekjet për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve. Sipas Bashës, sot është koha për solidaritet dhe jo për politikë e propagandë.

Pyetje: Zoti Basha, ditën e sotme kryeministri i vendit ju ka bërë thirrje për t’u ulur në një tryezë të përbashkët për të dhënë zgjidhje konkrete dhe propozime, sa i takon situatës së jashtëzakonshme. Ai tha “unë e mirëpres vetëpërmbajtjen e kryetarit demokrat sa i takon fjalëve, por është e pamjaftueshme, duhen veprime konkrete”. A jeni të gatshëm të uleni me të për veprime konkrete?

Lulzim Basha: E gjithë energjia jonë, ajo që po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë është të jemi afër njerëzve dhe t’i ndihmojmë sa të jetë e mundur. Jemi gjendur pranë komuniteteve, njerëzve në nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ky është prioriteti ynë tani. Tani nuk është koha për politikë. Njerëzit janë në nevojë ekstreme, njerëzit kanë nevojë për strehë, njerëzit kanë nevojë për ushqim, shumë kanë nevojë për vëmendje mjekësore, që nuk po e marrin, të tjerë kanë nevojë për siguri, se i kanë shpëtuar një fatkeqësie dhe duhet të bëhemi gati që të përballojmë çdo gjë tjetër, qoftë me kaq! Pra, tani nuk është koha as për politikë, as për propagandë. Gjëja e vetme me të cilën po merremi ne, është të jemi afër njerëzve dhe kjo është ajo që duhet të bëjë çdokush tjetër.

Pyetje: Prej ditësh, ju keni shpërndarë edhe një udhëzim, strukturat e PD janë në terren për të evidentuar problematikat, po ashtu edhe për të dhënë zgjidhje për banorët. A do të ishte mirë t’i bashkërendonit forcat për t’u dhënë zgjidhje konkrete banorëve të prekur nga tërmeti?

Lulzim Basha: Ne jemi pranë banorëve dhe udhëzimet e mia jo vetëm për strukturat e PD, por çdokujt që mund të ndihmojë, të ndihmojë, të jemi afër njerëzve, sepse njerëzit janë në nevojë ekstreme. Shikojini këta njerëz, janë prej 5 netësh jashtë, thonë “nuk kemi ku të fusim kokën, jemi pa ushqim, jemi pa mbështetje”. Prandaj, ky ëhstë fokusi ynë, kjo është vëmendja jonë. Nuk kemi kohë sot as për manovra politike, as për propagandë dhe ky duhet të jetë shqetësimi i çdokujt e, në veçanti, i qeverisë.

Pyetje: Ka kaluar 4 ditë nga tërmeti, i cili shkaktoi shkaktoi viktima të shumta, po ashtu, edhe të lënduar. Ju si e shihni situatën? Si e ka menaxhuar qeveria këtë situatë? A ka bërë aq sa duhet për banorët e dëmtuar?

Lulzim Basha: Këto ditë, që kanë qënë dite të tmerrshme për shqiptarët dhe sot Durrësi ka përcjellë shumë viktima, duke përfshirë dhe 8 viktimat e familjes Lala, nuk kanë qënë ditë për t’u marrë me analizën dhe përgjegjësitë. Natyrisht, ka një ditë, ka një kohë ku do merremi edhe me përgjegjësitë dhe me analizën se çfarë u bë, çfarë mund të bëhej më mirë dhe çfarë duhet bërë më mirë.

Tani, fokusi ynë është si t’i ndihmojmë këta njerëz. Nuk bëhet politikë. A mund të bëhet politikë me këta njerëz?! Këta janë pa strehë sonte, janë pa ushqim, fëmijët i kanë rrugëve, vetë janë rrugëve. Prandaj, prioriteti im, prioriteti i gjithë opozitës është të bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar. Ky duhet të jetë prioriteti i çdokujt. Jo protagonizmi, jo propaganda dhe as manovrat politike.