Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpall ditën e mërkurë ditë zie në Kosovë në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentit Thaçi.

Flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Mëngjesin e të martës Tirana dhe Durrësi u zgjuan nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 duke lënë të vdekur të paktën 18 persona, mes tyre dhe shtetas nga Kosova dhe mbi 600 të plagosur.