Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër.

Makina e gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër Andri Ymeri është djegur nga dy persona të paidentifikuar. Ka qenë ora 23:20 e mbrëmjes së kaluar kur papritur dy persona me skafandë në kokë dhe me një motor janë afruar tek mjeti tip benz i gjyqtarit Andri Ymeri duke e lyer me lëndë djegëse benzinë dhe duke i vënë flakën makinës që ndodhej e parkuar afër kishës françeskane në Shkodër.

Menjëherë flaka është përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar mjetin tip benz të gjyqtarit Ymeri. Pas marrjes në pyetje në polici gjyqtari Ymeri tha se askush nuk mund t’i bëjë presion dhe dyshon se ngjarja ka ardhur për shkak të detyrës.

Dy autorët pasi sigurohen në pak sekonda se mjeti mori flakë dhe po digjej janë larguar me shpejtësi në drejtim të Gjuhadolit andej edhe nga kanë ardhur. Autorët në videon e siguruar nga policia shihen duke u afruar dhe duke e lyer mjetin me benzinë e më pas duke i vënë flakën. Duhen vetëm pak sekonda që ajo makinë të digjet. Menjëherë pas zjarrit të përhapur me shpejtësi janë lajmëruar efektivët zjarrëfikës të cilët kanë mbërritur në vendngjarje duke tentuar të shuajnë flakët.

Nga zjarri në mjetin e gjyqtarit është kapur nga flakët edhe një makinë tjetër që ndodhej ngjitur me të. Të dy mjetet janë shkrumbuar plotësisht në të gjitha pjesët. Efektivët e zjarrëfikësve kanë shuar flakët aq sa kanë mundur tek dy makinat e djegura.

Pas verifikimit nga policia se djegia është e qëllimshme nga dy persona të paidentifikuar dhe se mjeti është i gjyqtarit Andri Ymeri në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie por edhe vetë gjyqtari Andri Ymeri.

Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të ndodhur për të identifikuar autorët e më pas për të bërë të mundur kapjen e tyre. Deri më tani efektivët nuk kanë arrritur që të bien në gjurmët e autorëve të cilët janë larguar me shpejtësi por edhe është e vështirë për t’i identifikuar për shkak të skafandës që kanë në kokë dhe veshjes me rroba të zeza.

Forcat e policisë dyshojnë se kjo ngjarje e djegies të makinës të gjyqtarit Andri Ymeri lidhet me punën e tij dhe ka dyshime se është një mesazh në adresë të gjyqtarit të shkallës së parë në Shkodër. Vetë gjyqtari Ymeri ka mohuar që të ketë ndonjë konflikt me ndokend.

Mjeti tip benz kishte disa ditë i parkuar afër kishës françeskane në Shkodër dhe dyshohet se autorët mund të kenë vëzhguar gjatë këtyre ditëve derisa kanë arritur ta djegin.

Gjyqtari Andri Ymeri është denoncuar dy herë për ryshfet ndërsa një herë tjetër ka qenë nën hetim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, çështje të cilat i ka mbyllur dhe vijon normalisht punën ndërsa ende nuk ka kaluar procesin e Vettingut.