Pas publikimit në emisionin investigativ italian “Le Iene” të historisë së 11-vjeçarit shqiptar, Alvin Berisha, i cili ndodhej i izoluar në kampin famëkeq Al-Hawl në Siri, pasi u mor padrejtësisht nga nëna e tij, e cila iu bashkua luftëtarëve të ISIS, mbarë opinioni publik kërkoi që kryeministri Rama dhe qeveria të reagonte mbi rastin.

 

Vlen të përmendet se ish-ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli, i cili u shkarkua nga detyra ditën e djeshme, bëri një gjest të ulët, duke iu mbyllur telefonin gazetarëve të “Le Iene” për të mos ua hapur më, ndërkohë që ishte po vetë ai që më parë kishte premtuar se do të angazhohej maksimalisht për të bërë të mundur rikthimin e vogëlushit shqiptar tek familja e tij në Itali.

 

Mirëpo, gjatë një konference për mediat, Rama u shpreh se kjo nuk është çështje ambasadash dhe se nuk mund të bënin dot asgjë për rastin e Alvin Berishës, pasi sipas tij situata ishte tejet e komplikuar.

 

Por kjo deklaratë e Ramës është hedhur poshtë nga një prej administratorëve të kampit Al-Hawl, i cili ka deklaruar për gazetarin e “A2”, Julian Kasapi, se ministritë e Punëve të Jashtme e kanë të thjeshtë që të riatdhesojnë shtetasit e tyre nga kampi.

 

Ai u shpreh:

Në kampin Al Hawl bëhet një punë e madhe për të menaxhuar të gjithë pjesët e tij në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare dhe ato joqeveritare. Në pjesën e ish-luftëtarëve të huaj ndodhen 10 mijë persona aktualisht. Do të ishte një shumë mirë nëse shtetet nga të cilat ata kanë prejardhjen, të bënin riatdhesimin e tyre pasi, mund të themi që kjo pjesë e kampit Al Hawl është tej mase e radikalizuar dhe ne e kemi shumë të vështire rehabilitimin total të tyre pasi kemi bërë çdo gjë deri më tani.

 

Në pjesën e ndërkombëtarëve ndodhen njerëz nga 48 shtete të ndryshme. Çdo shtet është i mirëpritur që të marrë dhe të riatdhesojë shtetasit e vetë. Për ne do të lehtësohej shumë puna këtu nëse çdo vend do të tërhiqte nga 100 shtetas secili. Nëse kjo do të ndodhte do të lehtësonte shumë punën tonë dhe mbi të gjitha do të kryente rehabilitimin e këtyre individëve. Në pjesën që ne e quajmë ndërkombëtare, janë vendosur femrat e huaja ish-luftëtare të ISIS nga këto 48 shtete.

 

Nëse ndonjë nga këto shtete, do të kërkonte të tërhiqte shtetasit e tyre do të duhej që ministritë e Punëve të Jashtme të kontaktojnë me administruesit e kampit dhe të koordinoheshin me ta për të riatdhesuar këdo.

Fatmirësisht vogëlushi Alvin, shpëtoi nga tmerri i kampit Al-Hawl, pasi u bë i mundur lirimi i tij nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna Siriane, në bashkëpunim me autoritetet italiane, të nxitura nga thirrjet e vazhdueshme dhe puna e palodhur e gazetarëve të emisionit “Le Iene”.

 

Megjithatë, përveç 11-vjeçarit, ndodhen edhe rreth 51 vogëlushë të tjerë shqiptarë në këtë kamp, që presin të lirohen dhe të riatdhesohen.