Ilir Meta në një intervistë për “Radio France International”, u shpreh se ka besim tek Franca dhe Gjermania dhe se Shqipëria duhet të jetë edhe politikisht pjesë e BE.

I pyetur për “Jo-në” që Franca i dha Shqipërisë, Meta deklaroi se Parisi inkurajon dhe mbështet Shqipërinë në realizimin e përpjekjeve për t’u integruar me BE.

Ai justifikoi Macronin për “JO”-në ndaj Shqipërisë, duke thënë se Tirana duhet të bëjë reforma që të jetë e besueshme dhe t’i hapen negociatat.

Meta pra, nuk ka folur si presidenti i Shqipërisë, për të mbrojtur interesat e vendit, por si një analist.

“Kjo nuk është hera e parë që Franca u ka kërkuar vendeve që aspirojnë për t’u bërë anëtare të BE-së të jenë më efikase dhe më të qëndrueshme në plotësimin e reformave.

Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj.

Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj. Ju e dini, gjeografikisht, Shqipëria dhe Ballkani janë në qendër të Europës.

Ndaj, politikisht duhet të jemi pjesë e plotë e BE-së. Edhe pse në tetor, Franca u deklarua kundër nisjes së negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, ne e dimë se Parisi na inkurajon dhe na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE.

Përpjekje të bazuara në demokraci, zhvillim, stabilitet dhe bashkëpunim”, deklaron Meta në intervistën e tij