Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në Gjykatën e Tiranës, gjatë një seance gjyqësore, ku paditësja dhe i pandehuri, kanë shpallur martesën me njëri-tjetrin në sallën e gjyqit.

 

Të rinjtë, të cilët ishin përfshirë në një konflikt gjyqësor, kanë habitur trupën gjykuese, teksa deklaruan se tashmë ishin martuar dhe nuk kishin asnjë konflikt me njëri-tjetrin.

 

Bëhet fjalë për Elifara Ahmetaj dhe Shefqet Pashaj. Ahmetaj kishte denoncuar në prokurori përndjekësin e saj, Pashaj, në janar të vitit 2019.

 

Në kallëzimin e saj vajza ka deklaruar se ata kanë qenë të lidhur në një marrëdhënie dashurie me njëri-tjetrin, përreth tre vjet dhe para dy muajsh janë ndarë.

 

Elifara Ahmetaj ka pohuar se pas ndarjes Shefqet Pashaj, e ka dhunuar atë psikologjikisht, duke i shkuar te vendi i punës, duke i dalë në rrugë dhe siç shprehet ajo, është ndjerë e terrorizuar, shkruan “shqiptarja.com”. Ai ka kërkuar që ajo të rikrijojë marrëdhënien e dashurisë me të, fakt të cilin ajo nuk e pranonte.

 

Nisur nga kallëzimi i Elifarës dhe veprime të tjera hetimore, Shefqet Pashaj, është marrë i pandehur për akuzën e “Përndjekjes” dhe çështja kundër tij është dërguar për shqyrtim në gjykatë.

 

Rasti në fjalë nuk i ngjason aspak natyrës së çështjeve penale që zhvillohen në gjykatën e Tiranës, pasi teksa zhvillohej gjyqi, vajza e dëmtuar ka pohuar se me të pandehurin janë martuar dhe kanë krijuar një familje.

 

Gjatë dhënies së pretencës së prokurorit Ervin Karanxha ky i fundit i kërkoi gjykatës që të ketë parasysh se “…nga kushtet që viktima e i pandehuri janë martuar me njëri-tjetrin, çka tregon një rrezikshmëri të ulët shoqërore të veprës penale, duhet të caktohet një masë e tillë dënimi që të mos dëmtojë familjen e re e cila është krijuar tani…”.

 

Prokurori Karanxha kërkoi që Shefqet Pashaj të dënohet me 100 orë punë të detyrueshme, kërkesë e cila është pranuar nga trupi gjykues.