Ditmir Bushati ka pranuar që PS ka gabuar në Shkodër jo vetëm me kandidatin por me modelin. Për këtë ai ka kërkuar publikisht ndjesë.

Në një intervistë për A2CNN, ish-ministri i Jashtëm tha se një ndjesë i zyrtare i takon ta bëjë edhe Partia Socialiste dhe nuk pranoi akuzën e Edi Ramës se Valdrin Pjetri ishte propozim i tij.

“E para, e di gjithë Shkodra që kandidati nuk ishte propozim i strukturave socialiste të Shkodrës. E vërteta është e thjeshtë: struktura e PS në Shkodër propozoi 3 emra ndërkohë që Kryesia e PS ja dha besimin Valdrin Pjetrit”, tha ai.

“Një qytet i cili i ka rezistuar komunizmit, i ka rezistuar pushimeve të ndryshme, e ka mposhtur frikën qoftë përmes pentagramit apo humorit të hollë, sot nuk i nënshtrohet dot krimit, influencës së krimit.

Qoftë edhe kur kjo influencë mund të vijë përmes politikës. Në rast se nuk adresojmë rrënjët e këtij fenomeni bëjmë gabim të merremi me kandidatin. Ne duhet të adresojmë rrënjët e këtij fenomeni. Duhet t’i bëjmë pyetjen vetes pse në tryezat tona u kthyen njerëz të cilët, partnerët tanë strategjikë, SHBA, i konsiderojnë si të papërshtatshëm. Çdo gjë tjetër është pasojë e këtij fenomeni”, shtoi Bushati.

Megjithatë ai mendon se prekja e politikës nga krimi nuk është një fenomen partiak.

“Pse zona të caktuara të Shqipërisë janë vatër të përleshjeve të grupeve të ndryshme me prapavijë kriminale? Kjo është çështje që kërkon një vullnet mbipartiak. Nëse dikush mendon se ky është një fenomen që ka prekur Partinë Socialiste, Partinë Demokratike në disa raste, apo LSI në disa raste të tjera, mendoj se gabon kur e konsideron këtë një fenomen partiak”, tha ai.

Sa i përket çështjes së shkëmbimit të kufijve të Kosovës me Serbinë ai u shpreh se ajo është një ide e vjetër serbe e vënë në dorën e disa shqiptarëve.

“Një ide e vjetër serbe, një ide që për fat të keq u vu edhe në gojën e disa shqiptarëve, që ndoshta nuk ishin vetëdijshëm për pasojat që do të sillte kjo ide”, tha ai.

Ish-ministri theksoi se qeveria duhej të kishte mbajtur një qëndrim më të qartë mbi debatin për kufirin. “Mendoj se nuk duhet të shpenzojmë kohë me rehabilitimin e të shkuarës së Serbisë. Duhet ta trajtojmë atë si një partner në rajon. Por nuk mund të bëjmë sikur nuk ndodh asgjë me fushatën agresive që Serbia bën kundrejt Kosovës dhe ne nga ana tjetër vazhdojmë të kultivojmë marrëdhënie sikur kjo nuk ndodh”, tha Bushati. /Opinion.al